Në emisionin “Pikat mbi i” në “News24”, konstitucionalisti Jordan Daci, analisti Artur Zheji dhe konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari , komentuan vendimin e Kushtetueses e cila shpalli rrëzimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Gjatë bisedës në studio, analisti Artur Zheji tha se fillimisht , presidenti Meta në daljet e tij të linte të kuptohej se kishte një lloj nervozizmi dhe se situata mund të merrte një rrjedhë negative lidhur me shkarkimin e  tij, por kjo gjë nuk ndodhi.

Gjithashtu ai shtoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, Meta nuk ka kryer shkelje të rënda të detyrës, ndërsa shtoi se mazhoranca e humbi betejën.

Pjesë nga biseda:

Artur Zheji: Dukej sikur Ilir Meta ishte vetëm dhe në daljet e tij shihej një lloj nervozizmi dhe të linte të kuptoj se çështja e tij po merrte trajta negative, por kjo nuk ndodhi. Ai nuk e bëri gabimin që ta merrte lehtësisht një nuancë të Kushtetueses…Gjatë ushtrimit të tij të detyrë presidenti nuk ka kryer një shkelje të rëndë dhe besoj kjo është edhe nuanca ku ai është kapur fort. Mendoj që sot është më i fortë dhe kemi një zbythje të trendit të mazhorancës që e çoi punën deri këtu… Duket se mazhoranca ishte e bindur se do ta fitonte betejën , por e humbi.

Jordan Daci: Prej kur Meta është zgjedhur presidenti kam qenë aktiv për mbrojtjen e tij, jo të Metës personalisht por të Institucionit të Presidentit, pasi të gjitha institucionet e tjera ishin të kapura. Sjellja e Metës në tërësi nga fillimi i mandatit, ai thuajse të gjitha betejat i ka fituar dhe vetë me atë që përfaqëson, ai e ridimensionoi pozicionin e presidentit. Padyshim që pati një debat lidhur me këtë vendim. Në tërësi pati një parapërgatitje të opinionit publik se presidenti Meta do të dilte i humbur nga kjo situatë. Sot edhe kësaj dite disa vazhdojnë të mos i njohin institucionet… Ne kemi parë një sulm frontal nga njerëz që nuk kanë lidhje me drejtësinë, por që kërkojnë të kundërshtojnë një analizë kushtetuese. Theksoj se nga ky vendim nuk ka të humbur, por këtu ka fituar Shqipëria. Kemi fituar një President të Republikës për atë që do të vijë, i cili nuk do të ndjehet i kanosur…me atë që ka bërë kjo gjykatë deri tani, meriton respekt. Është një institucion që gjithmonë ka qenë në konflikt me çdo mazhorancë edhe në kohën e Berishës…

Shkëlqim Hajdari: Duhet të themi që për publikun presidenca e zotit Meta ka qenë pak e veçantë…Meta vendosi të ishte një president aktiv që të përmbushte detyra pa e shkelur funksionin e Presidentit. Nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kuptojmë që Presidenti ka bërë një presidencë që nuk ka kaluar pa shkelje, por jo të nivelit të rëndë. Për fatin e keq të Shqipërisë dhe demokracisë, pushteti duam apo nuk duam ne shkoi majtas…Besoj se kanë arritur në këtë përfundim pasi kanë parë pozicion e pushtetit i cili shkoi në një krah…Pra ka bërë sjellje të forta për hir të situatës që u krijua…Ne duhet të mësohemi që kur flet Gjykata Kushtetuese të respektojmë demokracinë.

Zheji: Këtu është vendosur një precedent. Presidenti edhe pse mund të dalë nga korniza është një valvul demokracie, në sensin që kur Meta ka shpërthyer disa herë, ai ka vendosur këtë precedent sepse Meta e ngriti stekën e presidentit më lart. Tani kushdo që do të jetë president nesër, do të jetë më i fortë…A do të zgjidhet kjo nga populli apo duke korrigjuar disa ndryshime Kushtetuese, se si do të zgjidhet , ky mbetet një debat i madh. Pra ndodhi që mazhoranca kapi çdo gjë, por e vetmja gjë që nuk kapi dot, apo i doli nga kontrolli, nuk ka tashmë rëndësi, ishte Presidenti. Në momentet më kyçe presidenti nuk bëri asnjë kompromis me mazhorancës, i qëndroi ballë përballë në emër të ekuilibrimit të pushteteve, ndaj edhe u sulmua dhe u ndërtua fabula e shkarkimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb