TIRANE- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku ka prezantuar sot projektin për këndin e lojërave që do të ndërtohet tek kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës.

Gjatë një deklarate para mediave teksa ka reaguar në lidhje me prishjen e rrethimit të vendit ku do bëhej parku, Mazniku theksoi se ky projekt do të zbatohet pavarësisht kundërshtive nga ata që ai i cilësoi ‘disa burra që merren me hunjtë e gardheve dhe ëndrrën të fëmijëve’. Ndër të tjera ai tha se me anë të këtij projekti bashkia do tu tregojë qytetarëve diferencën mes dy botëve.

“Çdo ditë, me mijëra njerëz shëtisin këtë park. Ky është një projekt serioz, dhe riviitalizon zonën. Kjo ka nga një zonë për grupmosha të ndryshme fëmijësh. Ky projekt nuk prish pemë, por i shton qytetit që fëmijët jo vetëm të luajnë, por dhe të rrinë. Diferenca është e dy botëve të ndryshme, njëra nga çon në botën e fëmijëve dhe një tjetër që na ka lënë këtu në mes të këtij liqeni, një pallat 17 katësh. Që e ka dhënë ai kryebashkiaku që sot nxori njerëzit në shesh.”, tha Mazniku.

Ai shtoi më tej se: “Njerëz që shkojnë në kundërshtim me këtë koncept, shkatërrojnë një gardh dhe ishte për të ndihmuar një park që ishte vendi i ëndrrave të fëmijëve. Atje ku Luli rrit fëmijët e tij në Holandë, dhe fëmijët e tij e kanë mundësi, ndërsa fëmijët e Tiranës s’do e kenë mundësi që të luajnë dhe të kenë një park lojërash. Ky është një projekt që është financuar dhe krijon një hapësirë me rrugë me ashkla druri, me të gjitha elementet. Midis ca burrave që merren me hunjtë e gardheve dhe ëndrrën të fëmijëve, them se do fitojë e dyta.

Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe ata të shoqërisë civile prishën paraditen e sotme rrethimin që ishte vendosur për realizimin e projektit për ndërtimin e këndit të lojërave, me pretendimin se prihen pemët.

PRONONCIMI I PLOTË I MAZNIKUT:
Jemi sot këtu për t’u treguar edhe njëherë qytetarëve diferencën midis dy botëve dhe mes dy botëkuptimeve shumë të ndryshme, një pjesë të së cilës qytetarët kanë mundësi ta shohin në Parkun e Liqenit, ku disa njerëz shkuan dhe shkatërruan një rrethim i cili ishte bërë për ndërtimin e një parku lojërash për fëmijët e qytetit dhe një gjë që ishte një ndër investimet më të bukura të Bashkisë së Tiranës. Ky është një park për fëmijët.

Çdo ditë mijëra njerëz shëtisin në këtë park dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar nga Bashkia që të kishte mundësi që në këtë park të kishte edhe një hapësirë ku fëmijët të kishin mundësi të luanin. Ky është një projekt tejet serioz, si pjesë e një masterplani të madh për rivitalizimin e mirëfilltë të parkut, i cili të jetë më shumë se sa një vend ku njerëzit të kenë mundësi të bëjnë një shëtitje, por edhe aktivitete të tjera që mund të ndodhin. Specifikisht ky park ka disa zona, një për fëmijët nga 1-3 vjeç, një për fëmijët 3-6 vjeç, një për fëmijë më të mëdhenj me lojëra më të përshtatshme për ta dhe një zonë për fëmijët nga 9 vjeç e lart me zona të përshtatshme për ta. Të gjitha llojet e ndërtimeve janë plotësisht ndërtime mjedisore, përdoren materiale si druri, ashklat e drurit, plastika e ripërdorur për sheshe, që fëmijët mund të luajnë e të mos vriten, stola dhe hapësira për fëmijët.

Siç do të shihni në secilin prej projekteve nuk prishet aspak pjesa e bimësisë dhe pemëve, por i shtohet qytetit një vlerë e madhe ku fëmijët jo vetëm të kenë mundësi për të ecur në park por edhe të luajnë, një hapësirë të dedikuar për fëmijët, si pjesë e shumë gjërave që Bashkia ka bërë gjatë këtyre muajve, fokusuar tek fëmijët.

Diferenca është siç thashë e dy botëve të ndryshme, njëra botë e cila tenton të ndërtojë gjëra për fëmijët dhe qytetarët e këtij vendi dhe tjetra e cila na ka lënë pikërisht këtu në liqen një leje ndërtimi për një pallat 17 katësh, një gropë të madhe pranë liqenit, e firmosur nga kryetari i atyre njerëzve që nxorën njerëzit sot në shesh. Kjo është diferenca mes dy koncepteve. Disa njerëz që duan të ndërtojnë gjëra për të rinjtë, fëmijët, t’u japin mundësi fëmijëve që të lëvizin, gjëra që ndërtohen në mënyrë miqësore me mjedisin dhe monstrave që lënë pas gropa pranë liqenit, në hapësira që mund të ishin në shërbim të parkut. Këta njerëz shkojnë më pas në kundërshtim me çdo koncept jo vetëm të ligjit, por edhe parimit shkatërrojnë një gardh i cili ishte aty për të ndihmuar dhe për ta bërë sa më shpejt ëndrrën e fëmijëve për të pasur në park një vend ku të kenë mundësi të luajnë, duke shkatërruar me duart e tyre, vendin e ëndrrave të fëmijëve.

Ndërkohë, këto janë gjëra që në çdo vend normal të botës, atje ku Luli rrit fëmijët e tij në Hollandë, në çdo park ka kënde lojërash për fëmijë. Fëmijët e Lulit e paskan të drejtën që në Hollandë të kenë mundësi të kenë një park, ndërkohë që fëmijët e Tiranës nuk duhet ta kenë mundësinë që në Parkun e Liqenit Artificail të kenë edhe një park lojërash ku t’u jepet mundësia të luajnë. Kjo është diferenca e botëve sepse për fëmijët e tyre duan diçka tjetër, ndërkohë që për fëmijët e qytetarëve të Tiranës duan këto gropat me beton që kanë lënë pranë Liqenit Artificial. Nuk besoj se ka gjë më absurde se sa ajo që keni parë sot.

Pyetje: Opozita akuzoi sot se ka mungesë transparence…
Në mënyrë të vazhdueshme, kryetari i Bashkisë ka diskutuar për çështjen. Ky është një projekt i cili financohet dhe është miratuar nga FZHR, si dhe është diskutuar publikisht. Gjithashtu ka pasur një proces publik tenderimi për procesin, është diskutuar për projektin dhe në thelb është një projekt i cili u jep mundësi fëmijëve të luajnë, nuk prek asnjë nga pemët, krijon shkallë druri që fëmijët mund të ecin, krijon një hapësirë me rërë ku fëmijët mund të luajnë, krijon një rrugë me ashkla druri ku fëmijët mund të ecin. Pra, në thelb është një projekt i cili e ndërlidh në mënyrën më të mirë të mundshme natyrën e parkut me mundësinë e fëmijëve për të luajtur. Unë nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, që të mund të jesh kundër!

Pyetje: Ju do e vazhdoni projektin?
Patjetër, sepse unë besoj që midis ca burrave që merrem me hunjtë e gardheve dhe ëndrrës së qytetarëve, të rinjve e fëmijëve për të pasur një park në këtë qytet, do të fitojë e dyta.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: