Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Beratit, besimtarët ortodoks e katolikë, kanë festuar Krishtlindjet. Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales “Shën Dhimitri” në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjeve filloi në mëngjes dhe u drejtua nga At Petraq Simsia dhe At Johan Qako. Ceremonia e lutjes dhe lajmërimit të lindjes së Jezus Krishtit u ndoq nga qindra besimtarë ortodoks beratas, mes tyre shumë emigrantë të ardhur pranë familjeve për festat e fundvitit. Drejtuesit e liturgjisë së shenjtë uruan gjatë meshës jo vetëm besimtarët ortodoks por të gjithë shqiptarët për njē vit me më shumë begati, dashuri e harmoni në çdo familje. Besimtarët beratas kanë uruar “Gëzuar Krishtlindjet” dhe kanë përcjellë për të gjitha familjet beratase mesazhin “për një vit sa më të begatë, me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin”.

Pas përfundimit të meshës së shenjtë të Krishtlindjeve, besimtarët ndezën qirinj, morën bekimin e Zotit dhe uruan njëri-tjetrin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: