TIRANE- Sot u zhvillua takimi i Koordinatorëve Kombëtarë të Evropës Juglindore, i kryesuar nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, dhe njëkohësisht Koordinatori Kombëtar Antitrafikim, Elona Gjebrea me mbështetjen e OSBE-së dhe ICMPD-së.

Qëllimi i takimit ishte sjellja në tryezë për diskutim e situatave dhe sfidave të hasura në identifikimin e fëmijëve të pashoqëruar në vendet e Evropës Juglindore, identifikimin e masave të marra për mbrojtjen/asistencën e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit, zbatimin e procedurave për identifikimin dhe referimin e grupeve vulnerabël në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në rajon e më gjerë.

Është hera e parë që një event i tillë organizohet në vendin tonë me pjesëmarrjen e Koordinatorëve Kombëtarë të vendeve të Evropës apo Ballkanit. Në takim u diskutuan praktikat pozitive në lidhje me situatën e fëmijëve të pashoqëruar në rajon si dhe nisma të mundshme ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore dhe vendeve të tjera jashtë rajonit, për të adresuar problematikat e fëmijëve të pashoqëruar dhe atyre që kanë lidhje me çështjet e trafikimit.

Fjala e zëvendësministres së Punëve të Brendshme Elona Gjebrea:
Të nderuar kolegë!
I nderuar Z. Kevin Hyland, Komisioneri i Mbretërisë së Bashkuar për çështjet e trafikimit!
Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Është një kënaqësi dhe një nder i veçantë për mua sot, që të jem këtu përpara jush në rolin e vendit mikpritës për këtë event, i cili më duhet ta theksoj, se është hera e parë që organizohet në vendin tonë me pjesëmarrjen e Koordinatorëve Kombëtarë të vendeve të Evropës Juglindore apo Ballkanit.

Së pari, do të doja të shprehja falënderimin tim për organizatorët e këtij aktiviteti, Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Organizatën ICMPD që vazhdimisht kanë qenë partnerë dhe mbështetës në të gjitha iniciativat dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, kontribuojnë në luftën kundër trafikimit të personave, sepse

vetëm kështu, të gjithë bashkë mund të hedhim hapa përpara drejt zhdukjes së këtij fenomeni.

Lejomëni të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen që Qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka ndaj organizmave ndërkombëtarë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Shqipërisë në rrugën e saj në forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Pjesëmarrja e personaliteteve të rëndësishme në fushën e luftës kundër trafikimit dhe diversiteti i të gjithë të ftuarve në këtë event tregon për rëndësinë dhe vëmendjen që i kushtohet luftës kundër trafikimit të personave në të gjitha vendet dhe nivelet, në të cilat ky fenomen haset.

Trafikimi i personave, fytyra më moderne e skllavërisë njerëzore, është një krim mjaft kompleks, pasi kostot e tij përjetohen jo vetëm në nivel individual, por edhe në atë kombëtar, rajonal dhe global. Para se të jetë gjithçka tjetër, ai është një kërcënim për shtyllat e demokracisë, që janë garantimi i lirisë njerëzore, e drejta e mbrojtjes në bazë të ligjit dhe respektimi i të drejtave të gjithsecilit. Pasojat e shumta që mbart mbi vete ky fenomen e bëjnë atë një prioritet për të gjithë ne dhe kërkojnë që kundërpërgjigjet tona të jenë po aq komplekse.

Si zëvendësministre e Punëve të Brendshme dhe në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, dua të rikonfirmoj se Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmjet Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me struktura të tjera qeveritare dhe joqeveritare ka ngritur tashmë kapacitetet e nevojshme në përgjigje të këtij krimi, ka ushtruar shtytje për përmirësimin e kuadrit ligjor që adreson këtë krim dhe ka vendosur standarde dhe praktika të mira në parandalimin, mbrojtjen, asistencën dhe riintegrimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

Në fjalën time dëshiroj të bëj një paraqitje të shkurtër të disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në drejtim të parandalimit dhe goditjes së trafikimit të personave në Shqipëri:

– Lufta ndaj trafikimit të personave dhe përpjekjet e vazhdueshme për minimizimin e fenomenit dhe impaktit të tij në shoqërinë shqiptare mbetet një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare si një ndër elementët e rëndësishëm në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për të pasur një veprim të koordinuar ndaj luftës kundër trafikimit të personave, të gjithë aktorët antitrafikim zbatojnë objektivat e Strategjisë së Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe Planit të Veprimit 2014-2017, Strategji, e cila monitorohet nga Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave.

– Veprimet antitrafikim janë fokusuar kryesisht në rivitalizimin dhe forcimin e strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal; kontrollin e trafikimit të brendshëm të fëmijëve dhe grave; përmirësimin e standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave; intensifikimin e aktiviteteve për parandalimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe atë të personelit që punon me shërbimet e ndihmës.

Më konkretisht, Mekanizmi Kombëtar i Referimit, i cili përbën marrëveshjen bazë ndër-institucionale për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit është rivitalizuar nëpërmjet ngritjes së Task-Forcës së MKR-së, e cila vë në lëvizje të gjithë mekanizmin, duke garantuar monitorimin e zbatimit të saj dhe bashkërendimin e veprimit ndërinstitucional të anëtarëve në MKR;

– Autoriteti Përgjegjës për identifikimin, referimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e VT/VMT u zgjerua në korrik të vitit 2014 me anëtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë, Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, si dhe funksionon dhe organizon takime të rregullta ku trajton çdo rast të VT/VMT;

– Në dhjetor 2015, u finalizua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Policisë së Shtetit për “Krijimin e Task-Forcës për analizimin e integruar të çështjeve të pushuara dhe mosfilluara të trafikimit të personave”.

Qëllimi i këtij Memorandumi është garantimi i qasjes multi-institucionale për shqyrtimin e detajuar dhe përmirësimin cilësor të veprimeve antitrafik, kryerja e një analize të legjislacionit penal mbi çështjet e trafikimit të personave, si dhe

forcimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet hallkave të sistemit të drejtësisë.

Zyra e Koordinatorit Kombëtar e konsideron ngritjen e kapaciteteve të strukturave antitrafikim një aspekt tepër të rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të personave.

Në vijimësi janë zhvilluar trajnime dhe ëorkshope për identifikimin, referimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit. Vetëm gjatë periudhës shkurt-prill 2016 janë organizuar 12 trajnime në 12 qarqe me pjesëmarrje të strukturave shtetërore dhe joshtetërore, si: policia, shërbimi social shtetëror, arsimi, inspektorati i punës, zyrat e punës, shëndetësia, qendrat shërbimofruese, anëtarë të KRAT dhe Tryezës Teknike, me një pjesëmarrje prej 388 personash. Pas trajnimeve është hartuar një raport mbi gjetjet dhe rekomandimet që dolën nga trajnimet mbi zbatimin e PSV-ve, të cilat do të reflektohen dhe përfshihen në rishikimin e Procedurave Standarde të Veprimit, proces i cili do të përfundojë deri në fund të vitit 2016.

Komitetet Rajonale Antitrafik (KRAT), si struktura kryesore lokale për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, identifikimin e problemeve parësore në nivel rajonal, si dhe vlerësimin e gjendjes dhe përcaktimin e nevojave specifike të qarkut, janë rivitalizuar duke organizuar takime periodike orientuese me prefektët e qarqeve dhe anëtarët e tryezave teknike;

Qeveria shqiptare ka intensifikuar përpjekjet e saj në drejtim të parandalimit të trafikimit të personave dhe rritjes së ndërgjegjësimit të komunitetit mbi fenomenin e trafikimit. Ministria e Punëve të Brendshme/Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me Komitetet Rajonale Antitrafik, me strukturat shtetërore dhe organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, gjatë periudhës së verës së vitit të kaluar, organizoi Fushatën Kombëtare për parandalimin e trafikimit, ku u zhvilluan aktivitete ndërgjegjësuese, forume diskutimi, konferenca dhe marshime sensibilizuese.

Gjithashtu, në kuadër të Ditës Evropiane Antitrafik (18 tetor), në bashkëpunim me organizatat partnere dhe institucionet shtetërore, u organizua përgjatë muajit tetor “Muaji i Luftës kundër Trafikimit të Personave”. Në 12 qarqet e

vendit, u zhvilluan aktivitete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese, forume diskutimi, emisione dhe reportazhe në median e shkruar dhe vizive, ekspozita me punime të nxënësve, marshime sensibilizuese, etj. Aktivitetet patën për qëllim të sjellin në vëmendje të të gjitha strukturave shtetërore dhe joshtetërore, rëndësinë e ndërmarrjes së një angazhimi të përbashkët në luftën kundër trafikimit të personave, si dhe të përcjellin mesazhe për rreziqet që sjell trafikimi, rrugët dhe format për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut, në veçanti të grupeve vulnerabël.

Lidhur me identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, nga qershori i vitit 2014, funksionon Linja Kombëtare 116 006 dhe Aplikacioni “Raporto! Shpëto!”. Linja është e aksesueshme nga çdo telefon fiks apo celular dhe ofrohet falas në shërbim të publikut për të denoncuar rastet e dyshuara të trafikimit. Ndërsa, aplikacioni “Raporto! Shpëto!” mund të shkarkohet falas nga Google Play Store dhe është i përdorshëm në telefonat Android.

Ministria e Punëve të Brendshme/Zyra e Koordinatorit Kombëtar/Policia e Shtetit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit gjatë muajit shkurt-prill 2016 organizuan në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë takime informuese me nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të këtyre qyteteve. Takimet u zhvilluan në 21 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare me një pjesëmarrje rreth 1380 nxënës, mësues, psikologë dhe punonjës socialë. Pjesëmarrësit u informuan mbi format e trafikimit, mënyrat dhe treguesit për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, asistencën dhe ndihmën që iu jepet këtyre viktimave, format e raportimit, sikurse Linja Kombëtare 116006 dhe Aplikacioni “Raporto! Shpëto”!.

Ashtu, sikurse vitin e kaluar edhe këtë sezon veror do të organizohet fushata verore antitrafikim, me takime informuese në qytetet Durrës, Elbasan dhe Korçë, ku nxënësit dhe komuniteti do të informohen mbi çështjet antitrafikim, mënyrat e raportimit dhe identifikimit, etj.

Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar ka marrë një dimension të ri me takime me homologët e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Gjermanisë, etj për të intensifikuar përpjekjet në luftën kundër trafikimit të personave, pasi ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar apo dhe rajonal, por është fenomen global dhe kërkon goditje të krimit dhe masa të koordinuara mes vendeve. Ne

kemi marrë një sërë masash për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi duke nënshkruar dhe zbatuar Marrëveshje dhe Protokolle me Kosovën Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar për identifikimin, referimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit.

Ne jemi të vetëdijshëm se objektivat tona antitrafikim kërkojnë angazhimin serioz dhe të pakushtëzuar të gjithë aktorëve të përfshirë në adresimin dhe qasjen e përbashkët ndaj këtij fenomeni. Unë besoj fuqimisht se koordinimi dhe bashkëveprimi mes strukturave ndërton një sistem të mirë dhe të unifikuar veprimesh për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave.

Por le të kthehemi tek ajo çka na ka mbledhur të gjithë bashkë sot, situata dhe sfidat e hasura në identifikimin e fëmijëve të pashoqëruar në vendet e Evropës Juglindore, masat e marra për mbrojtjen/asistencën e viktimave/viktimave të mundshme të trafikimit, praktikat pozitive në lidhje me situatën e fëmijëve të pashoqëruar në rajon si dhe nisma të mundshme ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore dhe vendeve të tjera jashtë rajonit, për të adresuar problematikat e fëmijëve të pashoqëruar dhe atyre që kanë lidhje me çështjet e trafikimit.

Asistimi i fëmijëve të pashoqëruar nga shërbimet sociale të vendit të origjinës apo të vendit pritës është i bazuar në legjislacionin kombëtar apo ndërkombëtar. Konventa e të drejtave të fëmijëve, përcakton se në çdo rast që një fëmijë gjendet i pashoqëruar, vendi pritës merr masa të menjëhershme për sigurimin e jetës dhe zhvillimin e fëmijës. Duke u nisur nga fakti se interesi më i mirë i fëmijës është të rritet me familjen e tij të origjinës, shteti pritës njofton institucionet e shtetit të origjinës për të gjetur familjen e tij dhe për të vlerësuar kthimin e fëmijës pranë familjes apo në zgjidhje të tjera alternative.

Fluksi më i madh migrator i fëmijëve të pashoqëruar në vendin tonë ishte ai i viteve 1997 – 2000.

Kjo për dy arsye:

së pari, shumë familje, të frikësuara nga situata, shpesh e rrezikshme për jetën, vendosën të largojnë fëmijët adoleshentë djem jashtë Shqipërisë;

së dyti, shumë shtete pritëse, për shkak të situatës së trazuar në Shqipëri, nuk i riatdhesuan të miturit e pashoqëruar, por i mbajtën duke punuar me ta për t’i riintegruar në shoqërinë e atij vendi. Duke parë këtë sjellje të shteteve pritëse, shumë familje mbështetën financiarisht dërgimin e fëmijëve në këto vende, me mendimin se atje do të ketë një të ardhme më të mirë për fëmijët.

Ky fenomen u rishfaq mbas liberalizimit të vizave. U konstatua përsëri një rritje e numrit të të miturve që shkojnë të pashoqëruar në ato vende ku mendojnë se është më e lehtë të legalizojnë qëndrimin e tyre edhe pasi të kenë mbushur moshën madhore.

Qeveria shqiptare ka marrë masat e nevojshme në drejtim të kuadrit ligjor dhe institucional për adresimin e problematikave të fëmijëve të pashoqëruar.

Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, braktisja e fëmijëve nën moshën 16 vjeç nga prindërit, përbën vepër penale. Rezulton se, kryesisht, fëmijët dalin nga Shqipëria të shoqëruar nga prindërit, këta të fundit, kthehen vetëm pasi kanë lënë fëmijët jashtë shtetit.

Gjithashtu rezulton se 95 % e të miturve janë mbi moshën 16 vjeç.

Në mars të vitit 2014, Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Shërbimi Social Shtetëror nënshkruan Urdhrin e Përbashkët nr 332/4 dt 18.03.2014 “Për marrjen e masave për pritjen dhe trajtimin social të të miturve të pashoqëruar që kthehen/ripranohen nga vendet e tjera” me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim kryesisht koordinimin e procesit të rikthimit, të fëmijëve të pashoqëruar.

Në mënyrë që aktorët që përfshihen në këtë proces të kenë një kuptim të njehsuar dhe të standardizuar të vlerësimit të riskut, palët kanë miratuar një format të unifikuar të vlerësimit. Ky vlerësim hartohet nga një punonjës social i Drejtorisë Rajonale të SHSSH të rrethit, ku fëmija ka vendbanimin e përkohshëm/përhershëm.

Qëllimi final i këtij vlerësimi është jo vetëm sigurimi i një vlerësimi efektiv dhe gjithëpërfshirës të situatës dhe riskut të fëmijës dhe familjes, por edhe parashikimi i planit të riintegrimit nëpërmjet shkollimit, kurseve profesionale apo burime të tjera që ekzistojnë në zonën e banimit sikurse edhe programe të tjera të mbrojtjes sociale për fuqizimin e familjes.

Gjatë vitit 2015 ka pasur 156 kërkesa për vlerësime të ardhura nga vendet e huaja, janë realizuar 93 vlerësime social-ekonomike në familje dhe janë riatdhesuar 15 fëmijë. Për periudhën janar-maj 2016 ka pasur 61 kërkesa për kthimin e fëmijëve të pashoqëruar, janë kryer 31 vlerësime social-ekonomike dhe janë realizuar 26 riatdhesime, prej të cilëve 10 riatdhesime pa vlerësim social.

Në 90 % të rasteve, të miturit nisen me dijeninë e familjarëve dhe me mbështetjen e tyre financiare. Argumenti i largimit është “ për një jetë më të mirë”, prindërit mendojnë se duke e nisur pa mbushur moshën 18 vjeç është më e lehtë për të legalizuar qëndrimin e fëmijëve në të ardhmen. Pavarësisht se një nga argumentet që jepet nga prindërit gjatë vlerësimit është situata ekonomike, në 75% të rasteve familjet kanë gjendje të mirë ekonomike.

Rastet janë kryesisht nga zona veriore e vendit si Kukës, Shkodër Lezhë, Dibër, por dhe raste nga Tirana dhe Durrësi që janë kryesisht raste nga familjet që janë shpërngulur nga zonat veriore të vendit. Pjesa tjetër në numër më të vogël janë nga Elbasani, Korça, Berati dhe Fieri. Vendet në të cilat drejtohen të miturit janë Francë, Gjermani, Suedi, Belgjikë, Norvegji, Holandë.

Fazat në të cilat kalon procesi i kthimit të fëmijëve të pashoqëruar:

Identifikimi i familjes së fëmijës. Drejtoria Rajonale e SHSSH identifikon familjet nëpërmjet të dhënave që jep DPPSH.

Vlerësimi i saktë i situatës së familjes në Shqipëri, është një fazë shumë e rëndësishme për të identifikuar shkaqet e vërteta të largimit të fëmijës, nëse fëmija është i trafikuar apo jo. Ky vlerësim përfshin edhe planin e mundshëm për riintegrimin e tij në vendin e origjinës, në rast se në shtetin pritës merret vendimi për riatdhesim.

Asistimi i fëmijës që riatdhesohet me qëllim që kthimi të mos jetë traumatik për fëmijën. Një punonjës social i DRSHSSH e pret atë dhe e shoqëron deri në familje, kur familja nuk është paraqitur për arsye të ndryshme për ta pritur.

Riintegrimi, fazë në të cilën sigurohet realizimi i planit të parapërgatitur për fëmijën, nëpërmjet projekteve individuale sociale dhe edukative. Për këtë qëllim SHSSH bashkëpunon me OJF të ndryshme për të siguruar një integrim sa më të mirë të fëmijës në familje dhe në komunitet.

Bashkëpunimi me strukturat e pushtetit vendor, konsiderohet si një domosdoshmëri për arritjen e qëllimit të përbashkët, që është sigurimi i mbrojtjes sociale për fëmijët dhe gjithë komunitetin. Në këtë kuadër po merren masa për rishikimin e Marrëveshjes së Përbashkët, për të përfshirë gjerësisht aktorë të pushtetit vendor, kryesisht NJMF-të.

Për t’iu përgjigjur sfidës së emigrimit të popullatës dhe kryesisht të të miturve, qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë ka ndërmarrë fushata sensibilizuese për informimin e popullatës mbi emigracionin e paligjshëm e në veçanti për fëmijët që largohen të pashoqëruar, duke theksuar pamundësinë e emigrimit të të miturve dhe pamundësinë e sistemimit të tyre definitivisht në një vend pritës, si dhe duke shpjeguar rreziqet për trafikim që përfshin situata e një të mituri të pashoqëruar.

Ajo që ne presim nga ky takim sot, është që secili nga ne të kontribuojë duke sjellë praktikat pozitive në bërjen ballë të këtij fenomeni, por edhe në dhënien e ideve në forcimin e rrjetit të Koordinatorëve Kombëtarë të çështjeve antitrafikim, për një koordinim më të mirë midis tyre dhe qasje efektive për menaxhimin e rasteve të trafikimit, si dhe të përcaktohen shinat përmes së cilave do të shkohej drejt zgjidhjes së kësaj sfide të përbashkët të krijuar nga migracioni i të miturve.

Në përfundim të ndërhyrjes sime dëshiroj t’ju siguroj se, Shqipëria do të vazhdojë akoma më tej përpjekjet e saj në parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave, për ta bërë Shqipërinë një vend shembull të përmbushjes së standardeve ndërkombëtare, si dhe për të kontribuuar në ruajtjen e lirisë, dinjitetit njerëzor dhe vlerave të shoqërisë. Ajo do të vazhdojë të luajë rolin e një partneri konstruktiv në të gjitha nismat e përbashkëta rajonale dhe evropiane për të pasur rezultate të prekshme, qoftë në luftën ndaj trafikimit të personave, por edhe në adresimin e problematikave të emigracionit të parregullt. Ne mbetemi tërësisht të gatshëm për të kontribuar në forcimin e partneritetit në këtë proces.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: