Kryeministri Edi Rama ishte këtë pasdite në Zall Herr të Tiranës, ku iu dorëzoi dy familjeve çelësat e shtëpive, të cilat janë rindërtuar, pasi u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Rama ishte i shoqëruar nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Mes të tjerash, Rama tha se nga 10 023 familje që ishin në çadra në shkurt 2020 sot janë vetëm 865 familje, numri i të cilëve vijon të ulet çdo ditë, pasi po futen në banesat e tyre të reja. Rama tha se këto familje që janë ende në çadra marrin bonus qiraje, por zgjedhin të qëndrojnë pranë tokave të tyre të cilat i punojnë dhe kujdesen për gjënë e gjallë.

“Shkurtin e kaluar ishin në çadra 10.023 familje sot janë 865 dhe pakësohen javë pas jave – ashtu si mijëra të tjerë që presin të kthehen në apartamentet e reja edhe këto 865 familje marrin çdo muaj bonusin e qerasë, por kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë truallit të shtëpisë së prishur në fshat, për arsye të punës me tokën, të kujdesit për gjënë e gjallë apo thjesht për zgjedhjen e tyre”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se është i lumtur që shtëpitë u rindërtuan me kushte edhe më të mira nga sa ishin më parë., ndërsa nuk kurseu batutat me familjarët që morën çelësat e shtëpive të reja.

“Kënaqësi që mundëm të krijonim kushte shumë më të mira nga sa ishin më parë për familjet e prekura nga tërmeti. Gëzim gruan mbaje mirë se pa të je si shtëpia që të shembi tërmeti. Ata që i marrin të gjitha për një ditë, i humbin të gjitha për një natë”, tha Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb