678 masa administrative në 24 orët e fundit per te gjithe ata qytetare qe nuk i jane bindur vendimit per te mbajtur maskat. Punonjësit e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

“Prej orës 17:00 të datës 16.10.2020 deri në orën 17:00 të datës 17.10.2020, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 678 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Disa qytetarë, kryesisht të rinj, për t’i shpëtuar masës administrative nuk i kanë treguar dokumentin e identifikimit punonjësve të Policisë. Për këtë arsye janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit fton qytetarët që të mbështesin akoma më shumë Policinë dhe të raportojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cënon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”, thuhet ne njoftimin e policise.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: