Media e njohur botërore “Daily Mail” ka publikuar dy video, nga pamjet e brendshme të laboratorit kinez në Uuhan, ku thuhet se ka më shumë se 1500 viruse vdekjeprurës.

Në këto laboratore thuhet se ka rrjedhur edhe Covid-19, por kjo gjë nuk është ende e konfirmuar zyrtarisht. Kreu i ekipit që punon në laboratorin në fjalë, pretendon se nuk ka asnjë mundësi që virusi të ketë origjinën këtu.

Instituti i Virologjisë në Uuhan të Kinës është bërë një nga vendet më interesante të botës, për shkak se konsiderohet se është epiqendra e Covid-19, virusit që po tmerron botën. Teoritë befasuese pohojnë se virusi ka rrjedhur nga institucioni, i cili ka laboratorin e vetëm të Kinës me nivelin më të lartë të biosigurisë së P4.

Në fakt, mediat e huaja ndërkombëtare kanë publikuar pamje të një transmetimi në muajin shkurt në një televizion kinez, që paraqiste faktin sesi punojnë shkencëtarët në laboratorin e Uuhanit. Laboratori ka lidhje edhe me Akademinë e Shkencave të Kinës, ndërsa hapja zyrtare i është bërë në vitin 2018.

  • foto galeri

Thuhet se laboratori ka tre dhoma testimi, dy dhoma për ruajtjen e kafshëve, një “kuti” me viruse dhe një dhomë për “shpërndarjen” e kafshëve. Mendohet se 24 shkencëtarë punojnë këtu në të njëjtën kohë. Studiuesi Zhang tha se ndërtesa ishte projektuar në atë mënyrë që ajri mund të rrjedhë vetëm në laborator nga jashtë, dhe jo anasjelltas, për të parandaluar rrjedhjet.

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar publikisht Kinën se mund ta ketë shpërndarë këtë virus. Trump madje tha se Uashingtoni po heton nëse Kina ka gisht në këtë histori. Por, Kina ka thënë se OKB nuk ka gjetur asnjë provë, që koronavirusi të jetë bërë nga njeriu.

Dr. Juan Zhiming ka kundërshtuar akuzat e SHBA-ve, duke u shprehur se nuk ka asnjë shans që virusi të jetë bërë nga njeriu. Më herët, edhe ambasadorë e zyrtarë amerikanë në Kinë kishin deklaruar se laboratori i Uuhan “është një mister i madh” dhe se qeveria e Kinës nuk jepte asnjë informacion se cfarë ndodhte aty.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb