Marrëdhënia mes Kylian Mbappé dhe Neymar në PSG ka ngritur dyshime javët e fundit. Prestigjiozja franceze “L’Equipe” raporton disa episode përplasjeje mes dy yjeve të PSG. Dy futbollistët nuk duan konflikte të drejtpërdrejta, por ekuilibri mes të dyve mbetet i pasigurt.

Pas pesë vitesh, menaxhimi i marrëdhënies mes Neymar dhe Mbappé është si “paqe e ftohtë”. Refuzimi i fundit i Neymar për të folur mbi marrëdhënien e tij me Mbappé ka shërbyer vetëm për t’i hedhur benzinë zjarrit.

“Marrëdhënia ime me Mbappe? Unë nuk…”, – tha së fundi Neymar, duke shtrembëruar fytyrën dhe refuzuar të përgjigjet më tej për raportin që ka me partnerin e tij në dhomën e zhveshjes pariziene.

Nga ana e tij, Mbappé tha në fillim të shtatorit: “Marrëdhënia ime me Neymar? Ka raste kur jemi miqtë më të mirë në botë dhe të tjera kur flasim më pak. Sidoqoftë, ka shumë respekt të ndërsjellë”.

“L’Equipe” raporton se fillimi i mosmarrëveshjes mes Neymar dhe Mbappe mund të kishte nisur në verë, kur PSG po shqyrtonte transferimin e brazilianit. Neymar gjithmonë ka menduar se sulmuesi francez ka ndërhyrë drejtpërdrejt në atë vendim të klubit parizien.

Marrëdhëniet mes tyre u gërryen keq, madje u prishën në fillim të këtij sezoni kur të dy debatuan për ekzekutimin e një penalltie kundër Montpellier. Pas këtij incidenti, Neymar nuk hezitoi t’i bëjë “like” një kritike ndaj Mbappe në Tëitter.

“Tani është zyrtare, Mbappé i ekzekuton penalltitë te PSG. Qartësisht kjo është një çështje kontrate, sepse në asnjë klub në botë, që ka Neymar, ai nuk do të ishte goditësi i dytë i penalltive. Duket se Mbappe e ka të shkruar këtë në kontratën e re me PSG”,- ishte mesazhi ndaj Mbappe, që Neymar e pëlqeu shumë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb