Pas 3 fitoreve radhazi në La Liga, Real Madrid bie përballë Athletic Bilbao. Ekipi i Carlo Ancelotti-t pësoi një humbje 2-1 duke humbur shansin për të kapur Barçën në krye. Me një ndeshje më pak, Reali ndodhen në vendin e dytë, minus 4 pikë në raport me ekipin blaugrana. Në Madrid ka pa diskutim një çështje “Mbappe”, me yllin francez që vijon sezonin e tij me ulje ngritje shumë të forta.
Tashmë është bërë traditë, me Mbappe që kapet herë pas herë në pozicion jashtë loje, kështu ndodhi edhe kundër Bilabao-s ku në minutën e 14-të dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.
Me fillimin e pjesës së dytë, Bilbao befasoi Realin duke kaluar në avantazh në minutën e 53-të. Pas Getafes, Rudiger fitoi një tjetër 11-metërsh, por nga pika e bardhë e penalltisë, Mbappe gaboi sërish, në të njëjtën formë, në të njëjtin krah, ashtu si ndaj Liverpool. Për të rikthyer Realin në lojë mendoi Jude Bellingham, me mesfushorin anglez që ndoqi saktë goditjen e Mbappe-s, me topin që iu kthye në këmbë për ta stampuar më pas në rrjetë në minutën e 79-të.
Reali kishte kohë për të kthyer rezultatin, por një gafë në mbrojtje në mbrojtje vetëm 2 minuta më pas i dha mundësinë Athletic Bilbao-s të realizonte golin e dytë dhe të fitores.
Carlo Ancelotti largohet me një shije të hidhur nga kjo transfertë, ndërsa nuk i mbetet gjë tjetër vetëm t’i dalë edhe një herë në krah Kylian Mbappe-s: “Ishte një ndeshje e ekuilibruar, e luftuar. Kur barazuam, u përpoqëm të kishim kontrollin e lojës, po u penalizuan nga disa detaje si penalltia e humbur. Mbappe është i trishtuar, i zhgënjyer, por duhet të shohim përpara”.
Ndryshe nga Ancelotti, mediat spanjolle nuk u kursyen sërish ndaj Mbappe: “Nuk ka ngushëllim, apo sërish jashtë kuadratit”, ishin disa nga titujt kryesorë.
(BalkanWeb)