Për herë të parë Real Madrid dështoi për të marrë në ekip një nga yjet e botës. Presidenti Florentino Perez u rikthye të fliste për Kylian Mbappe, që ndryshe nga sa është përfolur në media ditët e fundit, klubi Los Blancos i ka dyert e hapura gjithnjë për futbollistë të kalibrit botëror.

Numri një i klubit madrilen mbrojti futbollistin, duke deklaruar se për rinovimin e Mbappe me PSG pati ndërhyrje politike deri në nivelin e presidentit të Francës.

“Nuk e kam thënë kurrë se Kylian Mbappe nuk do të ketë më mundësinë të luaj për Real Madrid. Në tre vite shumë gjëra mund të ndryshojnë, por unë nuk dua këtë version. Ky nuk është Mbappe që ne kërkonim, unë dua Mbappen e vërtetë.

Nuk është se ai më tradhëtoi mua, por na e bëri të qartë se ëndrra e tij është të luajë për Real Madrid. Gjithçka ndryshoi në 15 ditë, sepse pati presion ekonomik dhe politik. Në këtë formë, ëndrra e tij u desh të ndryshonte, megjithatë ende mund të realizohet”, u shpreh Perez në lidhje me këtë temë.

Ndërkohë, presidenti i Real Madrid theksoi edhe njëherë se ideja e Superligës Evropiane nuk është shuar. Sipas tij, askush nuk mund t’i pengojë klubet të luajnë ndaj njëri-tjetrit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb