Partia Demokratike ka bërë thirrje që të ndalen menjëherë punimet në lagunën “Vjosë-Nartë”.

Në një dalje publike për mediat, deputetja Ina Zhupa pohon se PD mbështet vendimin e Komitetit të Konventës së Bernën dhe shqetësimet e BE për Aeroportin e Vlorës.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE

Partia Demokratike e ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme edhe publike shkeljen e ligjeve dhe konventave në procesin për ndërtimin e Aeroportit të ri të Vlorës.

Ashtu siç pritej, edhe Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkoi autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.

Bashkimi Europian e ka përfshirë në mënyrë të përseritur në Progres Raportet për Shqipërinë shqetësimin. Në Progres-Raportin të Komisioni Europian shkruhet për aeroportin në zonën “Vjosë-Nartë”, se është në “konflikt me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së larmishmërisë biologjike, të cilat Shqipëria i ka ratifikuar”.

Mjedisi është një çështje thelbësore për BE-në. Nëse qeveria shqiptare vazhdon me këmbëngulje të shkelë konventat, te mos zbatoj rekomandimet e Bashkimit Europian kjo është kosto e madhe për qytetarët shqiptarë në rrugën e integrimit. Nga ana tjetër është edhe një kosto e madhe mjedisore për lagunën Vjosë-Nartë me risk të lartë edhe për vetë sigurinë aeroportuale në rast se vazhdohet në këtë rrugë.

Partia Demokratike është pro ndërtimit të një Aeroporti për Vlorën dhe e mbështet zhvillimin, por nuk mund të pranojë kurrë që të shkelen ligjet, konventat, të cënohen standardet europiane, të rrezikohesh shkatërrimi i mjedisit vetëm për një kapricio kryeministrore edhe projekte pa plane të mirëfillta.
Çdo nismë në shkelje të kontratave dhe konventave europiane është atentat kundër Shqipërisë dhe integrimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb