TIRANË- Shqipëria i ka mbyllur derën Turqisë në lidhje me mbështetësit e klerikut turk, kundërshtar i qeverisë së Erdogan, Fetullah Gulen.

Në konferencën e sotme për shtyp të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe ministrit turk Mevlűt Çavușoğlű, pati një pyetje enkas për këtë temë.

I pyetur se çfarë masash ka marrë shteti shqiptar, Bushati tha se Shqipëria është solidarizuar me ngjarjet e ndodhura në Turqi, por se është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE dhe ndjek disa rregulla ndërkombëtare.

“Përgjigjja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë qoftë në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë ndër vendet që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE dhe aderon në disa organizma me rregulla të përcaktuar për ekstradime ndaj çdo rrugë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”, deklaroi Bushati.

Nga ana tjetër ministri turk tha se shumë mbështetës të Gulen strehohen në Shqipëri dhe janë brenda çdo institucioni dhe strukture shqiptare. Ndaj ai i kërkoi shtetit shqiptar të marrë masa. “Ne nuk strehojmë terroristë shqiptarë, presim që as ju mos ta bëni”, deklaroi ministri turk.
Ndërkohë Bushati u pyet nëse inaugurimi i Xhamisë së Madhe po shtyhet për shkak të përfshirjes së Turqisë. Edhe këtu Bushati ka mbajtur qëndrim të prerë.
“Është absurde që shteti shqiptar të përfshihet në çështjet fetare e jo më një vend mik si Turqia”, tha Bushati.

Me gjithë kontradiktat për këtë çështje delikate, të dy ministrat kanë rënë dakord për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në shumë fusha ekonomike e sociale të vendit.
“Sot trajtuam në të gjitha dimensionet marrëdhëniet tona dypalëshe. Tregtia mes nesh po rritet. Investimet turke dhe numri i firmave që veprojnë në Shqipëri. Janë rreth 3 mld dollarë investime turke në Shqipëri. Unë pata një takim dhe me dhomën e tregtisë Turqi-Shqipëri dhe ata ishin të kënaqur që ishin në Shqipëri.
Duhet t’i kushtojmë vëmendje sektorëve të industrisë dhe energjisë ose ndërtimit të aeroporteve. Ne do t’i inkurajojmë zhvillime të tilla. Gjithashtu dhe në sektorin e shëndetësisë firmat turke kanë bërë investime të mëdha”, deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb