TIRANË
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se mbështetja e qytetarëve shqiptarë për Policinë e Shtetit është në nivelin më të lartë historik të mbështetjes. dhe sipas tij konsiderohet e afër nga qytetarët. Sa i përket rolit në zgjedhje, Lleshaj tha në “Real Story” në News24 se do të donte që policia të largohej nga zgjedhjet, pra të mos kishte asnjë rol dhe zgjedhjet të zhvilloheshin të qeta e demokratike.

“Kemi dy qasje, në qoftë se flasim për perceptimin publik si e shohin qytetarët policinë sot është në nivelin më të lartë historik të mbështetjes. Sondazhe të kryer nga partnerët ndërkombëtarë. Qytetarët e mbështesin Policinë e Shtetit dhe ndihen të sigurt mbi 75%. Sa i përket perceptimit të aktorëve apo faktorëve politikë meritojnë diskutim.

Përgjithësisht nuk e kalon forcën. Policie e Shtetit shqiptar konsiderohet e afërt me qytetarët. Gjithkush mund ta provojë vetë. Shqiptarët jetojnë nëpër botë, në perëndim e njohin sjelljen e policisë atje dhe në Shqipëri që është e moderuar.

Ne do donim që policia të largohej përherë e më shumë nga zgjedhjet dhe zgjedhjet të mos kishin nevojë fare për policinë. Të zhvilloheshin të qeta e demokratike dhe policia të mos kishte asnjë rol.

Policia shqiptarë nuk është për t’iu kundërvënë popullit por për të qenë me qytetarët kundër armikut të tyre, në kuptimin e krimit. Është aleate e qytetarëve. Sa i përket zgjedhjeve, do të doja më pak rol. Opozita ka kërkuar më shumë rol. Policia nuk duhet të ketë rol në zgjedhje. Besoj se në zgjedhjet e ardhshme policia do bëjë rolin e saj tradicional”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ndërkohë sa i përket besimit të qytetarëve kur funksionarë të lartë shtetërorë apo përfaqësues të partive mbajnë fjalime para policisë, Lleshaj tha se nuk është sakrilegj që një deputet t’iu drejtohet policëve të shtetit të tij.

“Policia është e shtetit shqiptar. Ne si çdo vend të botës e praktikojmë ftesën e personaliteteve. Aktiviteti në Elbasan është një nga 12 aktivitetet për prezantimin e një force operacionale dhe ftuam deputetët në të gjitha qarqet dhe ka pasur në të gjitha qarqet. Nuk është sakrilegj që një deputet t’iu drejtohet policëve të shtetit të tij. Ne nuk kemi një polici robotësh. Punonjësit e policisë kanë status civil. Ai ka qenë si deputet.

Zoti Balla ishte i ftuar aty dhe nuk ka përgjegjësi. Po punonjësi i policisë mund të jetë i afiluar në një parti politike. Jo aktivitet politik por afilim. Për sa kohë i kemi dhënë të drejtën dhe punonjësi i policisë mund të jetë demokrat, socialist, ballist dhe janë. Përderisa ne nuk mund ta ndajmë në qenien e policit këtë si mund ta ndajmë tek një deputet?! Artikulimi i tij ka qenë i një deputeti jo i një partiaku.

E mira e një shoqërie demokratike e kërkon që deputetët ta adresojnë policinë, të shkojnë, të flasin. Të shkojnë tek policia, të ndërtojnë marrëdhënie dhe kjo është një praktikë normale në botën e sotme. Ne e kemi ndarë që policia është e partisë në qeveri. Kjo është tmerr. Ne nuk mund të ndërpresim axhendën për shkak të mungesës së tyre. Pamjet normale, aty mungojnë deputetë të opozitës jo se nuk janë të ftuar. Është procedurë standarde”, deklaroi ministri Lleshaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb