Ylli Brahimi, 46- vjeçari që mbeti i plagosur në atentatin e Milotit, ka mohuar të ketë konflikte pas marrjes në pyetje nga hetuesit, duke mos dhënë ndonjë ndihmë në avancimin e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Pas 2 tentativave, hetuesit kanë arritur të marrin dëshminë e Brahimit 10 ditë pas atentatit në Spitalin e Traumës ku po merr mjekim për shkak të plagëve të marra.

46-vjeçari ka deklaruar se nuk ka asnjë ide se kush mund të jenë autorët e dyshuar të breshërisë së plumbave të derdhur drejt tij dhe viktimës Klisman Preçi.

Të vetmet detaje që Brahimi ka rrëfyer para hetuesve janë ato të lëvizjeve të fundit, te të cilat sipas tij, nuk ka vërejtur asgjë të dyshimtë, përfshirë këtu edhe prani në afërsi të personave të tjerë që mund ta kenë vëzhguar.

Dy plumba e kapën 46-vjeçarin, një në mushkëri dhe një tjetër në kofshë.

HETIMET

Hetimet për ngjarjen kanë ngecur për shkak të mungesës së provave, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë në zonë është dërguar për ekspertizë në Tiranë për të zbuluar nëse është fikur enkas për të mbuluar ngjarjen, apo ka qenë e fikur që më herët.

Deri më tani Policia ka në dorë 2 automjete për ekspertizë, “Audi” që u gjet i djegur në afërsi të Krujës, si dhe automjetin e blinduar të Ylli Brahimit.

Po ashtu, për ekspertizë janë dërguar 2 armë zjarri që dyshohet të jenë të autorëve e ndërsa po punohet me një grup hetimor për sekuestrimin e qartësimin e pamjeve filmike, të cilat shikohen si e vetmja provë për uniformat blu.

Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi gjatë mbrëmjes së 22 korrikut, kur po ktheheshin në banesat e tyre në Milot me një makinë të blinduar.

Hetimet për ngjarjen kanë ngecur për shkak të mungesës së provave, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë në banesën e Ylli Brahimit është dërguar për ekspertizë në Tiranë për të zbuluar nëse është fikur enkas për të mbuluar ngjarjen, apo ka qenë e fikur që më herët.

NGJARJA

Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi gjatë mbrëmjes së 22 korrikut, kur po ktheheshin në banesat e tyre në Milot me një makinë të blinduar.

Nga të shtënat mbeti i vdekur 27- vjeçari Klisman Preçi, ndërsa Brahimi arriti të shpëtoje. Këta persona rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë. 46-vjeçari Ylli Brahimi nuk është një emër i panjohur për Policinë.

Në vitin 2013, ai ishte dënuar për trafik droge, ndërsa i kishte shpëtuar një atentati vetëm një vit më parë. Ndërsa Klisman Preçi, i cili mbeti i vdekur, i shpëtoi një atentati në maj të këtij viti, ku ishte bashkë në makinë me Blerim Preçin.

Ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash në Ishull-Shëngjin, por fatmirësisht arritën të shpëtojnë pa marrë lëndime. Hetimet në lidhje me atentatin e Milotit janë përqendruar tek e shkuara brenda dhe jashtë vendit e Ylli Brahimit dhe Klisman Preçit, të cilët ishin fqinj me njëri-tjetrin./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb