Gjirokastra dhe rrethinat e saj ka qenë një nga qendrat që janë prekur më së shumti nga flakët.

Aty u regjistrua dhe viktima e parë, 64-vjeçari Andrea Haxhia, nga fshati Asim Zeneli.

Ndërsa bashkëshortja e tij, ndodhet në gjendje të rëndë në një spital të kryeqytetit.

Gazetarja Brikena Metaj, raportoi për “BalkanWeb” se vatrat e zjarrit në këtë fshat për fat të mirë janë neutralizuar. Ajo ka thënë se dyshohet se 64-vjeçari është asfiksuar nga tymi e për pasojë ka mbetur i bllokuar në mes të zjarreve. Gazetarja rrëfeu se çifti kishte 2 fëmijë, njërin që ishte me studime në Tiranë, e tjetri që jeton në fshat.

Ishte pikërisht ky i fundit ai që ka përhapur alarmin kur prindërit nuk i përgjigjeshin thirrjeve të tij sistematike në telefon. Sakaq, gazetarja nënvizoi se thirrje për evakuim janë bërë, por banorët nuk kanë pranuar të largohen nga fshati, duke përdorur çdo mjet, qoftë edhe rrethanor, për të shuar flakët.

“Po është banesa dy katëshe, e çiftit Haxhiaj, aty ku humbi jetën 64-vjecari Andrea në përpjekje për të shpëtuar banesën nga flakët. Ka qenë asfiksimi i menjëhershëm i tij dhe trupi ka mbetur mes flakëve dhe ka qenë e vështirë të identifikohej. Çifti ka 2 djem, njëri është student në Tiranë, ndërsa tjetri jeton këtu, por nuk ka qenë në banesë në ato momente. Ai ka tentuar të lidhet me prindërit, por kur ata si janë përgjigjur, ka kërkuar ndihmë nga të afërmit.

Gruaja ndodhet në spitalin e Tiranës dhe nuk dihet gjendja e saj. Situata është qetësuar në fshat, dëmet janë evidente, kudo ka pjesë të shkrumbuara. Nuk ka pasur më riaktivizim të vatrave në këtë zjarr. Era e solli zjarrin në këtë fshat, e po era e ndaloi përhapjen e mëtejshme të tij. Banorët s’duan të flasin për kamerat. Thirrjet për evakuim kanë qenë, për të treja fshatrat e prekura, por kjo thirrje s’është dëgjuar nga banorët.

Kur kanë evidentuar flakët, ata kanë vendosur të shuajnë vetë flakët. Banorët kanë dalë në bahçet e veta fillimisht, e më pas në rrugën kryesore të fshatit”, tha gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb