Gjashtë persona janë arrestuar nga policia pasi tentuan të fusnin në Shqipëri mbetje të rrezikshme nga Italia. Në pranga përfunduan Zamir Kormuzi, pronari i firmës së grumbullimit të mbetjeve, Elisabeta Çuni administratore e firmës së mbetjeve, Arbër Çuni, shofer i furgonit, Kujtim Xhafellari, Zv. kapiten i tragetit, Festim Tafa, kapiten i tragetit dhe 48-vjeçari me iniciale A.G.

Të arrestuarit tentuan të sillnin me traget nga Italia një furgon mallrash me një sasi të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme të dyshuar si amiant, i dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin.

Të 6 personat janë prangosur në flagrancë pas informacioneve që strukturat e departamentit të policisë kriminale kishin marrë se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri.

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës  Brindisi-Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, policia gjeti sasinë e mbetjeve të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë.

Dyshohet se ky trafik mbetjesh nga Italia drejt Vlorës është kryer edhe herë te tjera. Ndërsa dokumentacioni ishte i përpiluar nga firma e grumbullimit të mbetjeve, pronari i së cilës tashmë është arrestuar. 6 të arrestuarit, banues në Vlorë do të përballen me akuzat për veprat penale “Kontrabandë me mallra të ndaluar”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Transportim i mbetjeve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb