Nga: EDVIN PARRUCA
TIRANE – Në lidhje me çështjen e importit të mbetjeve, palët politike duket se kanë ndërruar vendet mes tyre. Ata që ishin pro në 22 shtator 2016, kanë qenë kundër në 22 shtator 2011, kur u votua ligji i qeverisë ‘Berisha’ për menaxhimin e integruar të mbetjeve që përfshinte importin, çuditërisht edhe data është e njëjtë.

Atëherë, 5 vjet më parë, deputetët demokratë që sot kërkojnë referendum, votuan të gjithë pro ligjit, ndërsa deputetët socialistë akuzuan se pas importit fshihet një lojë e madhe në favor të mafias.

“Sot nëse do të pyeteshin shqiptarët, 90% e tyre janë kundër importit të plehrave apo mbetjeve, sikurse doni ta quani ju për ta zbutur në sytë e opinionit publik. Në Shqipëri kurrë nuk do të ketë faktorë të rëndësishëm që mund të merren seriozisht me përdorimin e mbetjeve tona. Gjithmonë ne do të ofrojmë me këtë politikë, mbetje që do të preferohen nga këto industri, në raport me atë që do të ofrojë Italia, Gjermania etj.” -deklaroi Baraj në 2011-ën.

“Unë jam i bindur që biznesi vendas nuk do të jetë i interesuar që të marrë plastika apo kanaçe nga jashtë, sepse ajo që do të grumbullohet në Shqipëri e ndarë do të jetë shumë më ekonomike. Biznesi mbi të gjitha ka një parim, niset nga kriteri ekonomik.”- deklaroi Baraj në 2016-ën.

“Çfarë po përgatitet, çfarë po luhet në kurriz të shqiptarëve? Eshtë një ligj që nxit importin e mbetjeve dhe jo përpunimin e atyre ekzistuese. Duhet të jemi të vetëdijshëm që mafia e plehrave është kudo dhe synon veçanërisht vendet e pazhvilluara. ”-u shpreh Shalsi në 2011-ën.

“Pse bëhet gjithë kjo zhurmë, se sigurisht zëri i arsyes vret të paditurit, përveçse manipulatorët. Janë me dhjetëra, janë dhe të zbardhura procesverbalet, me dhjetëra orë diskutime me specialistë të mirëfilltë. U përpoqën të bëjnë furtunë në gotë”-deklaroi Shalsi në 2016-ën.

“Në Europë 12 vende të BE-së nuk pranojnë importin e plehrave dhe kjo është shembulli më i mirë që ne të kishim marrë nga Europa. Mos pranojmë importin e plehrave. Ky pr/ligj është i porositur nga interesa mafioze.”- deklaroi Balla në 2011-ën.
“Disa gjëra duhet të jenë shumë të sigurta. Ky parlament sot do të votojë një ligj që nuk vë në rrezik mjedisin në Shqipëri, por përkundrazi, një industri që është në Shqipëri prej vitesh të mundësojë 20 mijë vende pune.”- deklaroi Balla në 2016-ën.

Ndërsa specialisti i qeverisë Berisha në 22 shtator 2011 duket se përsërit argumentet e qeverisë ‘Rama’ në 22 shtator 2016.

“Në të gjitha rastet dhënia e një leje importi jepet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në vendimin përkatës të miratimit të listës të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime riciklimi janë parashikuar dhe procedurat për kalimin dhe që nga momenti që ai paraqet kërkesë verifikohet në vend nëse ka gjendje apo jo, nëse ka apo jo kapacitete përpunuese dhe miratohet kërkesa vetëm për sasitë që ai përpunon.”- deklaroi specialisti në 2011-ën.

“në nenin 48/1 thuhet, autorizimi për importin e mbetjeve o të rrezikshme u jepet vetëm atyre subjekteve që janë licencuar për ushtrimin e veprimtarisë së riciklimit dhe që posedojnë infrastrukturë riciklimi. Më përpara licencën për të importuar mbetje e kishte pothuajse çdo subjekt që trokiste, po të ishte klient aq më mirë.”- deklaroi Bare në 2016-ën.

Por edhe votimi i dy ligjeve atëherë dhe sot ka ngjashmëri, në 2011-ën, 69 deputetë të PD-së votuan pro, ndërsa socialistët kundër, megjithëse nëse do kishin braktisur votimin, PD nuk do e kishte kuorumin, në fakt në të njëjtën seancë në votimin e pr/ligjit pasardhës, PS u tërhoq nga votimi dhe kuorumi nuk u arrit.

Kurse në 2016, PD deklaroi votën kundër ligjit, i cili kaloi me vetëm 63 vota pro, por nga deputetet demokratë në sallë ishin më pak se gjysma për të votuar kundër, nëse gjithë deputetët e PD do ishin larguar, kuorumi do ishte vënë në pikëpyetje të madhe dhe ligji mund të mos kishte kaluar.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb