“Ethet e negociatave” në Ohër. Pas më shumë se 10 orësh, kanë përfunduar bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Takim në të cilin ishin të pranishëm edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun Miroslav Lajçak.

Peter Stano

***

Fillimisht përfaqësuesit e BE-së takuan ndaras Kurtin e Vuçiçin, ndërsa takimi trepalësh ishte parashikuar të niste në orën 13:30, por ka nisur me rreth dy orë vonesë.

Në agjendë ishin diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media.

Propozimi franko-gjerman nuk parashikon njohjen reciproke mes Prishtinës e Beogradit, por detyron palët të pranojnë dokumentet dhe simbolet shtetërore të njëra-tjetrës.

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar më parë gjatë ditës se është optimist në lidhje me atë që mund të arrihet nga takimi i sotëm, por ka shtuar se jo gjithçka varet prej tij.

Ndërkohë presidenti serb Vuçiç, ka qenë i qartë në deklaratat e tij ditën e djeshme se nuk do të nënshkruajë asnjë dokument në Ohër dhe se nuk ka marrë paraprakisht asnjë draft nga BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb