Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 539.752 doza të vaksinës, ndërkaq dozën e dytë e kanë marr 183.240 qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, në kohën kur numri i rasteve me koronavirus është rritur shumë si dhe varianti Delta del të jetë më i përhapuri.

Një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se qytetarët mund edhe t’i kombinojnë vaksinat kundër COVID-19

“Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.

Gjithashtu kjo ministri njofton se, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas”.

Edhe IKSHPK një ditë më parë ka bërë të ditur se rastet pozitive me SARS CoV-2 janë rritur në mënyrë rapide javën e fundit!

“Pos masave tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, e keni dispozicion metodën më të mirë, më të lirë dhe më efikase në luftë kundër COVID-19:VAKSINIMI!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka realizuar hulumtimin seroepidemiologjik të bazuar në popullatë i shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS CoV-2 (COVID-19) në Kosovë, i realizuar sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ky hulumtim është ndër të rrallët në botë që është bërë i bazuar në popullatë i realizuar nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, nga profesionistë të trajnuar në bashkëpunim me OBSH”.

Rezultatet preliminare tregojnë se 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, ku veçuar sipas rajoneve numri më i madh i personave me IgG pozitiv janë gjetur në rajonin e Prizrenit me 45.6% dhe Ferizajt me 45.3%. Pastaj, vjen rajoni i Prishtinës me 40.0%, rajoni i Gjakovës me 39.5%, Gjilanit 36.3%, Pejës 35.0%, kurse numri më i vogël i IgG pozitive janë gjetur në rajonin e Mitrovicës me 23.4%.

“Pasi që në hulumtimin seroepidemiologjik rezultatet tregojnë se vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i duhur për tu mbrojtur nga Pandemia COVID-19 andaj masa më efikase më e mirë dhe më e lirë është vaksinimi masovik i popullsisë së Republikës së Kosovës.

Andaj fuqishëm rekomandojmë vaksinimin masovik të popullsisë mbi 18 vjet. Rekomandohet fuqishëm që të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësor, të gjithë punëtorët arsimor, policia e shtetit dhe administrata dhe e tërë popullata”, thuhet në reagim.

Ndryshe, një ditë më parë MSH ka marrë vendim për masa të reja antiCOVID-19, e të cilat do të hyjnë në fuqi pas një jave.

Me këto masa të reja, rikthehen maskat, hyrja në dasma vetëm me dëshmi për vaksinim ose testin COVID-19.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se masat kufizuese kundër COVID-19, do të hyjnë në fuqi nga data 20 gusht dhe do të vlejnë deri më 10 shtator.

Megjithatë, nuk është përjashtuar mundësia që gjatë kësaj kohe të ketë edhe masa tjera reja, transmeton Telegrafi.

“Qeveria vendosi masa të reja, ashtu siç kemi paralajmëruar më parë për shkak se varianti Delta ka qenë dominues në shtetet evropiane, përfshirja e këtij virusi në vendin tonë ka qenë e pashmangshme, dhe kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët. Në mesin e masave të ndërmarra sot veçojmë:

Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, hyrja në diskoteka, në ambientet ku mbahen ahengjet familjare, tubimet masive, festivale e tjera, të cilat kanë kapacitetet deri në 100 persona, lejohet vetëm nëse klientët kanë një dëshmi si certifikate të vaksinimit, testit PCR negativ, dëshmi së personi ka kaluar coronavirusin, ose rezultat pozitiv të antitrupave.

Nga data 20 gusht deri më 10 shtator, një nga dëshmitë cekura më lartë duhet të kenë bizneset që janë në kontakt me klientët.

Pas vendimit, në institucionet publike ndalohet hyrja pa maska dhe obligohet bartja e maskave në ato ambientet. Kjo është obligative”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: