FILIPINE

Një 44-vjeçar kinez ka humbur jetën në Filipine, për shkak të coronavirusit duke shënuar kështu rastin e parë që një person i infektuar me këtë virus vdes jashtë territorit te Kinës.

Pacienti ishte nga Uuhani, aty ku shpërtheu virusi për herë të parë. 44 vjecari është infektuar para se të mbërrinte në Filipine, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ai kishte udhëtuar për në Filipine nga Vuhani me tranzit në Hong Kong së bashku me një kineze 38-vjecare, e cila gjithashtu rezulton të jetë e infektuar me coronavirus.

Mjekët në Filipine janë shprehur se 44-vjeçari vuante edhe nga probleme të tjera të mëparshme shëndetësore. Ndërsa sipas një agjencie filipinase, si fillim 44- vjeçari ishte paraqitur në gjendje të qëndrueshme dhe kishte shfaqur shenja përmirësimi por brenda 24 orëve u përkeqësua dhe humbi jetën. Mbi 300 vetë kanë humbur jetën deri më tani për shkak të coronavirusit të ri, pjesa më e madhe e tyre nga provinca Hubei.

Ndërsa mbi 14 mijë vetë janë infektuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia dhe një numër shtetesh të tjera kanë ndaluar ardhjen e të huajve nga Kina dhe kanë vendosur që qytetarët e tyre që kthehen nga ky vend të qëndrojnë nën karantinë për disa dite. Numri i rasteve të coronavirusit në të gjithë botën e ka kaluar edhe atë të rasteve të Sarsit në vitin 2003, por numri i viktimave nga coronavirusi i ri është më i ulët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb