Ditën e sotme maturantët në të gjithë Shqipërinë do i nënshtrohen provimit të tretë të Maturës Shtetërore, atë të matematikës.

Më herët ata zhvilluan provimin e gjuhës së huaj të zhvilluar në datën 8 qershor dhe atë të gjuhës shqipe më 11 qershor. Pas këtij të fundit maturantët dolën edhe në protesta për mënyrën e formulimit të pyetjeve, ndërsa ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nga MAS.

Për shkak të pandemisë dhe masave mbrojtëse, çdo shkollë do të jetë qendër provimi.

Provimi sot nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Testi përmban 60 pyetje me secila nga 1 pikë. Të gjithë maturantët do të jenë të pajisur me maska dhe doreza dhe do të ruhet distanca.

Edhe korrigjimi do të jetë tërësisht elektronik dhe vetëm në Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Tiranë. Fleta e përgjigjeve është më e rëndësishmja e këtij procesi, pasi të gjitha përgjigjet e testit do të lexohen dhe vlerësohen nga korrigjuesi elektronik. Specialistët këshillojnë sikurse edhe në provimet e kaluara që maturantët të mos e dëmtojnë, pasi nuk dublohet dhe ta plotësojnë si duhet.

Në gjithë vendin janë 32 126 maturantë që do t’i nënshtrohen testit, që do të zhvillohet në 486 qendra provimi. Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të lëndës me zgjedhje më 18 qershor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: