Kryeqyteti ukrainas Kiev është përgatitur që të evakuojë të gjithë civilët në qytet në rast të një shkëputjeje masive të energjisë elektrike sipas New York Times.

Bombardimet e forcave ruse ndaj infrastrukturës kritike të energjisë në të gjithë vendin po vazhdojnë ndërsa raportohet se 40% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është dëmtuar ose shkatërruar totalisht.

New York Times raporton se autoritetet ukrainase po krijojnë strehime për ngrohjen e civilëve që mund të përdoren edhe si bunkerë, ndërsa inxhinierët po përpiqen të rregullojnë termocentralet e bombarduara pa pajisjet e nevojshme.

Ndërmarrja kombëtare e energjisë në Ukrainë tha të shtunën se do të vazhdojë të vendosë ndërprerje të vazhdueshme në shtatë rajone në mënyrë që të përpiqet të parandalojë dështimin përfundimtar të rrjetit energjetik.

“Nëse nuk ka energji, nuk do të ketë ujë. Kjo është arsyeja pse qeveria dhe administrata e qytetit po marrin të gjitha masat e mundshme për të mbrojtur sistemin tonë të furnizimit me energji elektrike”, u shpreh  Roman Tkachuk , drejtori i sigurisë së Kievit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb