Zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka bërë një rezyme të të gjithë procesit të rindërtimit.

Në një ceremoni të ndarjes së banesave të reja në Bubq, një nga zonat më të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të 2019, Ahmetaj tha se kanë përfituar nga procesi 49 mijë familje, si dhe janë investuar miliona dollarë.

“Janë 45 apartamente dhe 77 shtëpi individuale. Ashtu siç ju premtoi kryeministri janë tuajat dhe t’i gëzoni e trashëgoni. Do të bëj një përmbledhje të këtij procesi. Ju do të hyni në shtëpi më të bukura, të forta e të mira nga ato që keni pasur. Këtu kemi shtëpi, pallate, qendra administrative. Është shembull se ky punohet më fort e bukur. Janë 49 mijë familje përfituese nga procesi i rindërtimit.

131 mln dollarë kanë dalë nga buxheti i shtetit për këtë proces. Po flasim për një pjesë të programit dhe këtu s’kam përfshirë bonusin e qirasë. Në zonën e Spitallës do të ndërtohet një lagje nga Princi i Emirateve. Pritet të përfundojnë në 2 muajt e ardhshme 610 pallate që janë në Kurbin, Lezhë dhe Tiranë. Janë 119 mln dollarë vetëm për shkollat. Rekord, nuk janë harxhuar kaq para për shkollat në 30 vite. 74 objekte arsimore janë nga donatorët. Janë edhe 5 shkolla të tjera që do të vendosen në janar për t’u financuar nga buxheti i shtetit. Ky proces ka qenë shembull. Nuk është vetëm proces tulla e llaç. Edhe njëherë t’i trashëgoni e t’i gëzoni”, tha Ahmetaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: