Mbi 50 të burgosur ukrainas të luftës u vranë në një sulm gjatë natës në një qendër paraburgimi në territorin e kontrolluar nga Rusia Donetsk në Ukrainën lindore, sipas një zyrtari lokal të lidhur me Kremlinin.

Denis Pushilin, kreu i të vetëshpallurës “Republika Popullore e Donetskut”, tha se numri i viktimave të bombardimeve u rrit në 53, nga shifra e mëparshme e Ministrisë së Mbrojtjes ruse prej 40 viktimash, njoftoi agjencia ruse e lajmeve ‘Interfax’.

Ministria tha gjithashtu se 75 të tjerë u plagosën në sulm, një pretendim i mohuar nga Kievi.

Shumica e të vrarëve u kapën në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, e cila ra nën kontrollin rus pas një rrethimi të gjatë, tha Ministria në një deklaratë.

Në njoftimin e Ministrisë ruse thuhet se “sulmi ukrainas ishte një provokim i qëllimshëm i përgjakshëm” dhe një përpjekje për të frikësuar ushtarët ukrainas kundër dorëzimit”.

Në sulm po ashtu u plagosën tetë persona nga stafi. Sipas Ministrisë, sulmi është kryer me një raketë të lëshuar nga sistemet amerikane të artilerisë së lëvizshme me rreze të gjatë (HIMARS).

“Një numër i madh ushtarësh ukrainas ditët e fundit janë dorëzuar vullnetarisht për qëndrimin human të Rusisë ndaj të burgosurve të luftës”, tha Ministria ruse.

Anton Gerashchenko, një këshilltar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, mohoi pretendimet.

“Të gjitha mediat ruse janë plot me pretendime se Ukraina kreu një sulm me raketë mbi burgun Elenovka afër Donetskut, ku ishin të burgosurit ukrainas, shumica nga Azovstal. Natyrisht, ushtria ukrainase kurrë nuk do të qëllonte një objekt të tillë. Është ose krejtësisht i rremë ose një krim i tmerrshëm rus”, shkroi Gerashchenko në Twitter.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb