“Funerali i Mbretëreshës Elizabeth II do të jetë operacioni më i madh i sigurisë që Londra ka parë ndonjëherë”, kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan.

Gjithashtu Khan ka thënë se funerali shtetëror i së hënës për Mbretëreshën Elizabeth II është një sfidë “e paprecedentë” e sigurisë, me qindra mijëra njerëz që mbushin Londrën qendrore.

“Kanë kaluar dekada që kur kaq shumë liderë botërorë ishin në një vend. Mund të ketë njerëz të këqij që duan të shkaktojnë dëme tek individët ose disa nga liderët tanë botërorë. Pra, ne po punojmë jashtëzakonisht shumë. Policia, shërbimet e sigurisë dhe shumë e shumë të tjerë për t’u siguruar që ky funeral shtetëror të jetë i suksesshëm,” tha Khan për Associated Press.

Nga ana tjetër, zëvendës Ndihmës Komisioneri i Policisë Metropolitane, Stuart Cundy tha se operacioni policor “shumë kompleks” është më i madhi në historinë e forcës së Londrës, duke tejkaluar Olimpiadën e Londrës 2012.

Më shumë se 10.000 policë do të jenë në detyrë të hënën dhe do të përforcohen nga oficerët e rrugës së Londrës, si dhe oficerë nga të gjitha 43 forcat policore në Britani.

Do të ketë gjithashtu qindra vullnetarë dhe anëtarë të forcave të armatosura për të garantuar sigurinë.

Ndërkohë nga ana tjetër kryebashkiaku i Londrës, Khan ka shtuar se do të marrin pjesë edhe mbi 500 personalitete duke përfshirë perandorë, mbretër, mbretëresha, presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të tjerë nga e gjithë bota.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb