Portugalia duhet të “paguajë kostot” e skllavërisë dhe krimeve të tjera të epokës koloniale, ka thënë presidenti i vendit, në një rast të rrallë të një lideri evropian që duket se mbështet nevojën për kompensime. Portugalia është përballur prej kohësh me thirrjet e aktivistëve për të adresuar trashëgiminë e saj si vendi evropian me përfshirjen më të gjatë historike në tregtinë e skllevërve.

Gjatë harkut prej katër shekujsh, afro 6 milionë afrikanë u rrëmbyen dhe u transportuan me forcë përtej Atlantikut nga anijet portugeze. Ata që arritën t’i mbijetonin udhëtimit u skllavëruan dhe u detyruan të punonin në plantacione në Amerikë, kryesisht në Brazil, ndërsa Portugalia dhe institucionet e saj përfitonin nga puna e tyre. Presidenti i vendit, Marcelo Rebelo de Sousa, tha në një ngjarje me gazetarë të huaj të martën se Portugalia “merr përgjegjësinë e plotë” për gabimet e së kaluarës dhe se ato krime, përfshirë masakrat koloniale, kishin “kosto”.

“Ne duhet të paguajmë shpenzimet,” tha ai. “A ka veprime që nuk janë dënuar dhe nuk janë arrestuar përgjegjësit? A ka mallra që janë grabitur dhe nuk janë kthyer? Le të shohim se si mund ta rregullojmë këtë.”

Vërejtjet erdhën një vit pasi Rebelo de Sousa tha se Portugalia duhet të kërkojë falje dhe “të marrë përgjegjësinë” për rolin e saj në tregtinë transatlantike të skllevërve, megjithëse ai nuk dha asnjë detaj konkret ose një falje të plotë. Në të dy rastet, vërejtjet e presidentit u bënë kryesisht për audiencën ndërkombëtare, tha Paula Cardoso, themeluesja e platformës online Afrolink për profesionistët me ngjyrë në Portugali. “Pas kësaj strategjie ndërkombëtare qëndron mungesa e njohjes kombëtare se kjo temë duhet të diskutohet”, tha Cardoso në një email.

“Fëmijët ende mësojnë në shkolla se Portugalia ishte një kolonizator i shkëlqyer, se vendi ‘zbuloi’ vende të tjera dhe se portugezët janë aq unik sa u përzien me kultura të ndryshme sikur të mos kishte pasur shkelje. Ajo ra dakord për nevojën për dëmshpërblime, duke argumentuar se Portugalia duhet të paguajë kostot e “të qenit krijuese e tregtisë transatlantike të skllevërve , e një kulture dehumanizimi të trupave të zinj”. Ajo tha se duheshin gjithashtu veprime praktike për të luftuar racizmin sistematik dhe strukturor që u ngrit nga ky sistem dhe vazhdon ende në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb