Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar nga foltorja e Kuvendit pas ngatërresës që i bëri kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Imntegrim, Monika Kryemadhi mbiemrit të ministres, Bora Muzhaqi.

Balla i kujtoi Kryemadhit se mbiemri Muzhaqi vjen nga Muzaka, një fis i madh shqiptarësh që kanë luftuar në këtë vend.

Ai bëri thirrje që askush në sallën e Kuvendit të mos luajë apo keqinterpretojë mbiemrat.

“E dashur Monika, Muzhaqi është një mbiemër shumë i madh dhe i uroj Borës si vajzë e re ta justifikojë mbiemrin që mban. Do ju kërkoja që askush në këtë sallë të mos keqinterpretojnë mbiemrat.

Secili prej nesh është shumë krenar për mbiemrin që mban dhe loja me mbiemrat nuk i shkon askujt. Ishte një keqkuptim i vogël. Dhe sa për Muzhaqët, vjen nga Muzaka një fis i madh shqiptarësh që kanë luftuar në këtë vend, por fisi nga vjen Bora e kanë vuajtur shumë diktaturën dhe mbiemrin Muzhaqi, që nga Nezir Muzhaqi i cili u var në 45’ dhe të gjithë më pas.

Atje në malet e Polisit, ku banon familja e Muzhaqëve, ndesha një gojdhanë interesante. Fisi i Muzhaqëve e sheh prejardhjen e vet nga princat e famshëm Muzakaj, të cilët përmenden për herë të parë si familje feudale në gjysmën e dytë të shekullit XIII.

Shndërrimet etimologjike që ka pësuar patronimi i famshëm, nuk e përjashtojnë, përkundrazi, tregojnë se emri ka kaluar nëpër gojën e banorëve të kësaj zone. Pothuaj të gjithë Muzhaqtë e Elbasanit, Gur Shpatës, Rafjes, Fushë-Buallit, etj. Dhe ata që më vonë janë vendosur në Elbasan, janë degë të të njejtit fis”, deklaroi Balla.

Kryemadhi ka replikuar nga vendi ndaj Ballës, ndërkohë që më parë kishte deklaruar se ministrja Muzhaqi nuk duhet ta mbyllë karrierën e saj me ligën e Inceneratorëve.

Kryetarja e LSI-së, tha se qeveria nuk ka nevojë për avokatë dhe se ministrat duhet që t’i dalin zot punës së tyre.

Kjo sipas saj është e pritshme, duke ironizuar se këto ministra janë votuar nga qytetarët nga votat e blera me paratë e inceneratorëve.

“E mirëkuptoj Ballën por qeveria e Skëndërbeut nuk ka nevojë për dado e avokatë. Ministrat i dalin zot punës së vet se ndaj janë votuar në Parlament e nga qytetarët, me vota qe janë dhënë në mënyrë unanime, pasi janë paguar me votat e inceneratorëve”, tha ajo.

(BalaknWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb