*Manjani: Politika penale të bazohet në interes të ligjit, jo në interesa të çastit

TIRANE – Mbipopullimi i burgjeve në vend ka ardhur për shkak të caktimit të masës arrest me burg edhe për vepra të lehta penale. Ky ka qenë qëndrimi i dy ambasadorëve, atij të OSBE-së Florian Rauning dhe atij britanik, Nicholas Canon, të pranishëm në prezantimin e Dokumentit të Politikave për uljen e mbipopullimit në burgje dhe paraburgime.

Gjatë fjalës së tij, Rauning pohoi se reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse që të jetë e efektshme, ndërsa ai theksoi se ka alternativa të tjera për masën e dënimit. Nga ana tjetër ambasadori i OSBE-së deklaroi se dënimi duhet alternuar me rehabilitimin.

“Që reforma në drejtësi të jetë e efektshme, duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Kjo nënkupton se duhen forcuar masat. Problemi kryesor në sistemin e burgjeve është mbipopullimi. Ky dokument politik i drejtohet një audience të gjerë. Qëllimi është të ketë një botëkuptim dhe interesa të përbashkët. Përveç kësaj prirja ndëshkuese e drejtësisë penale ka ndikuar në mbipopullim të burgjeve. Duhet të theksoj se privimi nga liria duhet të jetë opsion i fundit. Kjo masë duhet ë aplikohet vetëm kur vepra penale është e rëndë dhe se aplikimi i një mase tjetër do ishte e pakët. Në rastet e duhura shërbimi i provës është më efikas sesa burgu. Pasi kombinon dënimin me rehabilitimin. Numri i autorëve të liruar me kusht ka ardhur në rritje. Presim me kënaqësi që të punojmë me ju që të ulin mbipopullimin e burgjeve.”, tha Rauning.

Sakaq, i të njëjtin qëndrim ishte dhe ambasadori britanik Nicholas Canon pohoi se duhet të ketë masa të tjera dënimi për veprat e lehta penale, pasi mund të ndikojë më tej për t’u bërë kontigjent krimi.

“Ky dokument përfaqëson një rëndësi të veçantë. Sistemi i burgjeve është i mbuluar plotë, pasi është mbushur me persona që kanë vepra më me pak rëndësi. Ka individë që janë dënuar për vepra të ulta, të cilët mund të bëhen më pas kontingjent krimi. Një shembull i qartë është vjedhja e energjisë elektrike. Këto ndryshime janë sugjeruar nga BE dhe ndërtuar nga Britania e Madhe. Do ishte ideale që sistemi gjyqësor të kishte një numër të madh opsionesh që masat e dënimit të ishin të duhura.”, tha Canon.

Manjani: Politika penale të bazohet në interes të ligjit, jo në interesa të çastit
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thekson rëndësinë që politika penale të bazohet në interes të ligjit dhe jo interesa të çastit. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e dokumentit të politikave për uljen e mbipopullimit në burgje dhe paraburgime, Manjani tha se sot në Shqipëri dënohesh me shumë për armëmbajtje pa leje, se sa për terrorizëm.

“Ne jemi mbështetës të politikës penale që harmonizohet në interes të ligjit. Kam ndërmend që së bashku me prokurorin e përgjithshëm të ndërtojmë një politikë penale strikte të bazuar në interes të ligjit dhe jo në interesa të çastit. Politika penale duhet të bëhet në interes të ligjit. Kjo do sjellë një zgjidhje të mbipopullimit në burgje.”- tha ministri Manjani.

Ministri Manjani tha se mbipopullimi në burgje është pasojë e disa fenomeneve, që sipas tij, duhen kuruar një nga një deri në zgjidhjen afatgjatë të problemit.

Ndërsa theksoi rëndësinë që të përdoren dënimet alternative, Manjani tha se burgu nuk është alternativa e duhur për të miturit që gjenden në rrethana të caktuara në shkelje të ligjit.

“Në burg legjitimohet si një kriminel. Kam ndërmend të hy në një zgjidhje të këtij fenomeni për t’i dhënë zgjidhje çdo të riu. Ti japim mundësi që të integrohet, të futet në shoqëri si një njeri i edukuar dhe jo si i damkosur.”- tha ministri Manjani.

(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: