TIRANE- Këshilli i Ministrave miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme. Kështu, Qeveria shqiptare i ka dhënë Haki Çakos gradën “Drejtues Madhor”. Çako u emërua pak ditë më parë kreu i Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Artan Didit.

Ndërkaq, në mbledhjen e ditës së sotme, Qeveria miratoi një vendim për mbrojtjes të veçantë të policëve të cilëve për shkak të detyrës, iu kërcënohet jeta, familja dhe prona.

Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe rekomandimet në luftën kundër krimit për vitin 2015.

Mbledhjen e sotme, Qeveria mori vendim edhe për disa ndryshime në vendimin nr.279, datë 12.4.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së objekteve të operacioneve hidrokarbure, pjesë e marrëveshjes së lidhur më 26.7.1993, ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës (sot Ministria e Energjisë dhe Industrisë) dhe Albpetrol-it, bashkësisë ekonomike të naftës dhe gazit (sot shoqëria “Albpetrol”, sh.a.)”.

Këshilli i Ministrave vendosi sot edhe për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.

Qeveria mori vendim edhe për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.253, datë 6.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet bujqësore në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore”

Qeveria vendosi sot për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilët preken nga rikonstruksioni i Bulevardit “Osumi”, faza e parë, në bashkinë e Beratit.

Gjithashtu, qeveria vendosi për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilët preken nga rikonstruksioni i rrugës “Unaza e jashtme e qytetit”, si dhe sistemimi i rrugës te lagjja “Cfake” pranë kasapit, në bashkinë e Gjirokastrës.

Këshilli i Ministrave vendosi sot edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës së transmetimit 110 kv, Uznovë – Çorovodë

Qeveria miratoi në parim, marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për bashkëpunimin ekonomiko-teknik.

Qeveria mori sot vendim për kalimin, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë, të pasurisë së paluajtshme, të ndodhur në zonën kadastrale nr.8525, me numër pasurie 26/71, Elbasan, për gjykatën e rrethit gjyqësor Elbasan dhe prokurorinë e rrethit Elbasan

Këshilli i Ministrave përcaktoi edhe elementët përbërës, mënyrës së vendosjes dhe afatit të lëshimit të pullës së kontrollit të barnave.

Ndërsa një tjetër vendim të cilët i ka dhënë “Ok” Qeveria Shqiptare ditën e sotme, është edhe miratimi i bashkëfinancimit të projektit të rikonstruksionit të Muzeut “Marubi”.

(e.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb