Deputetja e PD-së Flutura Açka ka publikuar sot fjalën e saj në mbledhjen e Kryesisë që u shoqërua me tensione e debate lidhur me zgjedhjet për kryetarin e ri.

Açka flet për humbjen e PD, mosdaljen me kandidatë në të gjithë Shqipërinë dhe mungesën e një analize për humbjen.

Ajo deklaron se ora politike e zotit Berisha ka mbaruar dhe ai nuk mund t’i çojë demokratët në fitore, teksa ka kritika dhe për Lulzim Bashën dhe turin e tij të takimeve.

Açka ka treguar dhe tre propozimet e kryesisë së PD Elbasan, për regjistrimin e anëtarësisë dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.

“Vetëm gara e ndershme, do të na nxjerrë me dinjitet para demokratëve, përndryshe vetëm do të përsëritim veten. Ne nuk duhet të bëjmë një parti antiBerishë, siç shpesh dëgjoj të thuhet e të veprohet. Ne duhet ta ringrejmë, ta bëjmë të besueshme dhe fituese Partinë Demokratike”, deklaron Açka.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

POSTIMI I PLOTË
Fjala ime në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, 6 qershor 2023
Kur hyra në sallë, dikush prej jush më tha me gëzim se sa mirë që kisha ardhur, sepse po i sillja ca poezi kësaj mbrëmjeje të zymtë. Në të vërtetë, u duk si e zymtë në fillim, por me sa po shoh, është një mbrëmje plot pathos.
Të jem e sinqertë me ju, më ka ndodhur ndonjëherë që kolegë të mi në politikë, madje ka edhe në këtë sallë, të më thonë se unë nuk jam politikane. E vërtetë është. Dikush, emri i të cilit nuk më kujtohet tani, ka thënë diku se “politika është një gjë aq serioze, sa nuk mund t’i lihet në dorë politikanëve”. E shpjeguar kështu, ndihem shumë mirë që nuk jam politikane.

Nuk duhet t’i kthehem sërish çështjes së debatit mbi kandidaturat për kryetarë bashkish në zgjedhjet e 14 majit, pasi e kam shpjeguar disa herë edhe me detaje qasjen time. I mbetem mendimit se ka qenë e gabuar që nuk dolëm me kandidatët tanë kudo, sigurisht shumë kohë përpara, pra në kohën e duhur, në mënyrë që ta kishim më të lehtë të negocionim në fund edhe me Rithemelimin për kandidatë të përbashkët. Kam qenë mes atyre që kam bërë thirrje që në situatën e krijuar para regjistrimit të kandidaturave, demokratët të gjenin zgjidhjen mes tyre, gjë që nuk ndodhi dhe ky është një debat i gjatë. Duke mos nxjerrë kandidatë, ne i treguam shqiptarëve se sa të dobët ishim, dhe pavarësisht arsyeve të drejta, ky ishte perceptimi, dhe rezultati.

Demokratët i shoh shumë të lodhur, aq sa është e vështirë t’u shpjegosh se çfarë do të bëjmë të gjithë bashkë pas humbjes së thellë të 14 majit. Po çfarë bëmë në fakt ne pas humbjes së 14 majit? Në vend që të mblidheshim menjëherë dhe të diskutonin se pse humbëm dhe se ç’do të bëjmë më tej me këtë parti, ne prodhuam ngjarje pas ngjarjesh dhe e çoroditëm opinioni publik, në mënyrë që ai të mos merrej me analizën e humbjes së opozitës, të humbjes që pësoi veçanërisht koalicioni opozitar, pra vetë Berisha. Mund të ishin të gjitha të rastësishme, por ato e akomoduan Berishën.

Pse nxituam aq shumë, nuk prisnim dot në disa ditë? Filluam qysh të nesërmen të mblidhnim firma lart e poshtë për të hequr Enkelejd Alibeajn si kryetar i grupit parlamentar, i cili do të ikte gjithsesi. Tri ditë u mor media me ne, me firmat tona lart e poshtë. Menjëherë dha dorëheqjen kryetari i komanduar, mbase nën këtë trysni që po them. Unë nuk e di të vërtetën e dorëheqjes së tij, sepse e gjykoj të nxituar, por disa ditë sërish media u mor me këtë ngjarje. Pas saj menjëherë u vendos kryesimi i grupit parlamentar nga z. Bardhi dhe edhe kjo mori disa ditë kohë në media. Të gjitha këto e shfokusuan vëmendjen nga humbja që duhej të diskutohej gjerësisht në publik, por media sërish u mor me ne.

I respektoj kolegët që flasin për bashkim, se nuk duhet të kalojmë në zgjedhje në parti dhe ristrukturimin e partisë në të gjitha nivelet pa u bashkuar me parë. Po si do të bashkohemi, na e thoni se si do të ndodhë kjo, dhe kur do të ndodhë? Ju nuk e doni më shumë se unë Sali Berishën, por unë kam nevojë ta shoh të vërtetën në sy për të gjithë ne. Nuk jam marrë kurrë me non Grata-n e tij, por jam e bindur në një gjë që e kam thënë publikisht shpesh: ora politike e zotit Berisha ka mbaruar dhe ai nuk mund t’i çojë demokratët në fitore, aq më shumë me këtë frymë që kemi mes nesh. Sikurse shumë prej jush, edhe unë jam ndier shpesh e fyer nga etiketimet e shëmtuara që na janë bërë poshtë e lart. Nuk po qahem, por po shpjegohem për fjalët me të cilat jemi etiketuar: lëvozhga, të shitur, paterica, e gjithfarë. Si mund të bashkohesh me këtë lloj mjedisi që është krijuar?

Siç ju thashë, demokratët janë shumë të lodhur, madje edhe nervozë me ne. Këto ditë u mblodh grupi parlamentar ku unë nuk mora pjesë dot, pasi isha në një shërbim jashtë vendit. Aty është marrë një vendim për të cilin nuk di ç’të them nëse do ta miratoja në të gjithë paragrafët e tij, por meqenëse është vendim shumice, nuk e përjashtoj dot. Në të kanë marrë pjesë edhe dy kolegë të mi të nderuar deputetë të Elbasanit dhe nuk e di nëse jua kanë transmetuar atë ditë në mbledhje propozimin e Kryesisë së Partisë Demokratike të Degës Elbasan të mbledhur para disa ditësh.

Ja si është e vërteta:
Për shkak të disa intervistave dhe titujve të portaleve dhe meqenëse ishim para kësaj mbledhjeje të Kryesisë së PD-së, disa prej anëtarëve të Kryesisë së PD-së Dega Elbasan, më telefonuan të shqetësuar dhe kërkuan me këmbëngulje mbledhjen e Kryesisë së Dedës së PD-së Elbasan. Me mirëkuptim të plotë mes anëtarëve, në mbledhje u morën vendime dhe u kërkua me insistim në prani të të tre ne deputetëve ta përcjellim propozimin e tyre për organizimin e Partisë Demokratike këtu.

E lidhur me ta fort në ketë qëndresë të gjatë që kemi bërë bashkë, e kam ndier për detyrim të shënoj me kujdes propozimin e tyre, të cilin kam detyrimin t’jua bëj me dije sot. Dega e PD-së Elbasan kishte ndër rezultatin më të mirë në zgjedhjet e 14 majit, dhe edhe pse mes humbjes së përgjithshme nuk ka vend për ndonjë entuziazëm, këtë rezultatin relativisht të mirë të marrë prej punës dhe qëndresës së tyre, e vlerësoj shumë.

Pas diskutimeve kryesia e Degës Elbasan bëri tre propozime për t’ia sugjeruar Kryesisë e PD-së, arsye edhe pse jam këtu sonte:
-Të kryhet certifikimi i anëtarësisë menjëherë, proces që do të dojë, sipas tyre, 2-3 javë intensive pune.
-Të hapet gara për kryetarin e Partisë Demokratike dhe zgjedhja të bëhet brenda mesin apo fundit të muajit korrik 2023 konform rregullave të përcaktuara në statutin e Partisë Demokratike.

-Gara për zgjedhjen e kryetarit të PD-së të jetë e pastër e të mos përsëritet kurrsesi ngjarjet e shëmtuara që kanë ndodhur në zgjedhjet e verës së vitit 2021 për kryetar partie. Pastërtia e garës duhet të jetë kusht, nëse dëshironi mbështetjen tonë.

Pra, që të konkludoj, duke e lidhur çdo proces në Partinë Demokratike me 2 B-të ku kemi mbetur peng, ne e kemi mbledhur partinë, e kemi zvogëluar shumë. E kam parë zotin Basha që ka dalë këto javët e fundit në takime nëpër Shqipëri. Unë nuk do t’ia kisha këshilluar ta bënte këtë që po bën. Më duket një imitim i asaj që ka bërë dikur zoti Berisha, por zoti Berisha bënte Foltore, zoti Basha po bën Dëgjimore. Mund ta bënte këtë nëse do të hynte në garë, pikërisht atëherë kur të hynte në garë. Por ky është një problem i tij.

Sot po flasim për procesin dhe ai nuk duhet të lidhet me asnjë emër, do të hyjmë apo jo në zgjedhjet për kryetarin e partisë. Pasi nëse nuk e kemi kryetarin e partisë, demokratët nuk vendosin të rrinë me ne apo jo, pasi nuk dinë me kë ta lidhin përfshirjen e tyre, as ata nga jashtë kur të vijë koha për ta hapur partinë, një gjë që duhet ta bëjmë brenda disa muajve dhe me cilësisht të lartë dhe me garë.

Vetëm gara e ndershme, do të na nxjerrë me dinjitet para demokratëve, përndryshe vetëm do të përsëritim veten. Ne nuk duhet të bëjmë një parti antiBerishë, siç shpesh dëgjoj të thuhet e të veprohet. Ne duhet ta ringrejmë, ta bëjmë të besueshme dhe fituese Partinë Demokratike.
Ju faleminderit!
Tiranë 6 qershor 2023
Fotot: Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Dega Elbasan

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb