TIRANË

Partia Demokratike ka kundërshtuar fort vendimin e marrë në konferencën e kryetarëve nga maxhoranca për zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online. Debati për zhvillimin e tyre normalisht, ka vijuar dhe në seancën plenare.

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj e cilësoi asgjësim të thelbit të demokracisë, parlamentarizmit. Ai tha se për ata që shkojnë në punë, shkollë e madje e koncerte nuk ka probleme, pse duhet të ketë për deputetët duke kërkuar të garantohet e drejta e publikut për t’u informuar.

“Çështja është e thjeshtë. Bëhet fjalë për mënyrën se si do duhet të zhvillohen punimet në komisionet parlamentare. E dini fare mirë si janë zhvilluar punimet e legjislaturës së kaluar online. Njëri në kafe, tjetri në plazh, me kafe e raki, e askush nga publiku nuk e merrte vesh se çfarë ishte votuar. Ka pasur një situatë të gjendjes së jashtëzakonshme, baza e vetme normative është kjo për të ndryshuar formatin e punës. Nuk është më. Baret sot i ke plot, fëmijët nëpër shkolla shkojnë, parlamenti këtu jemi të gjithë. Pse u dashka që vetëm komisionet parlamentare, atje ku diskutohet në mënyrë më të detajuar dhe ku zhvillohet debati parlamentar në mënyrë më masive, u dashka online. Për t’iu fshehur publiku. Për ata që shkojnë në punë, në shkollë, në koncerte madje nuk paska probleme, për ne deputetët paskemi, duhet të mbrohemi. Kjo është për procedurën e veprimtarisë së parlamentit të shqiptarëve. Ne do duhet që atë vendim të marrë nga parlamenti i mëparshëm ta shfuqizojmë dhe të kthehemi në normalitetin e veprimtarisë së zakonshme. Ne nuk duam që jeta e askujt, dhe as deputetëve të vihet në rrezik, atëherë të vendoset rregulli, deputetët të vaksinohen apo paraqesin testin, po duhet të garantojmë të drejtën e publikut për t’u informuar. Mjafton të shikon dokumentacionin e legjislaturës së kaluar, gjysma e tyre thuhet nuk dëgjohet. Kjo është të asgjësosh thelbin e demokracisë, parlamentarizmin”, tha Alibeaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb