Një program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe grupi për vaksina GAVI, kanë mbledhur mbi 2 miliardë dollarë, të cilat do të përdoren për të blerë dhe shpërndarë në vendet e varfra vaksinën kundër koronavirusit.

Megjithatë, ata thonë se kjo shumë nuk është e mjaftueshme që të gjitha vendet e varfra të furnizohen me vaksinën potenciale kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Aleanca GAVI tha se këto mjete do t’i lejojnë COVAX-it –programit të OBSH-së që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për zbulimin e vaksinës për COVID-19 – që të blejë një miliard doza të vaksinës, për 92 shtete, të cilat nuk kanë mundësi që t’i blejnë vet.

“Ne kemi parë shtete dhe donatorë privatë nga e gjithë bota që kanë kontribuar që të arrihet ky qëllim”, tha shefi i GAVI-it, Seth Berkley, duke shtuar se është çështje “urgjente” po ashtu, që të financohen trajtimet për koronavirus dhe diagnostikimi.

Berkley tha se deri në fund të vitit 2020, nevojiten të mblidhen edhe 2 miliardë dollarë për diagnostikim dhe 6,1 miliardë dollarë për trajtim mjekësor.

Edhe 5 miliardë dollarë të tjera duhet të mblidhen deri më 2021, në mënyrë që të blihen doza të vaksinës kundër COVID-19, vaksinë e cila ende nuk është zbuluar.

Por, kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, javën e kaluar njoftuan se vaksina e tyre kundër koronavirusit, sipas studimeve të para, ka treguar se është efektive deri në 90 për qind. Këto kompani kanë shprehur interesimin, që sapo vaksina e tyre të miratohet për përdorim, të furnizojnë programin COVAX me doza të nevojshme./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb