Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e Asamblesë së PS në Farkë, tashmë në cilësinë e drejtuesit politik të kryeqytetit.

Gjatë fjalimit Veliaj nuk la pa përmendur edhe kundërshtarës, teksa theksoi se procesi i vlerësimit të kandidaturave në PD i ngjason një ‘’Big Brother’’ ku ka eleminim. Ai shton me ironi se me këtë metodë në PD do të ngelet vetëm Lulzim Basha.

 

“ Bashës i themi: Çuno, ik merr votat e shtëpisë tënde sepse votat e shtëpisë tonë janë të gjitha për Partinë Socialiste… Partia e tyre funksionon me eliminim. E keni parë që në çdo rreth bëjnë “Big Brother”, kë do nxjerrim sot nga shtëpia dhe funksionojnë si “Big Brother”, kë do përzënë. Ne funksionojmë si shtëpi e madhe: kë do të ofrojmë, kë do të shtojmë, me kë do të bashkohemi, kjo është diferenca. Parti në vitin 2020 që funksionon si “Big Brother”, votojnë kë do heqin nga shtëpia dhe gëzohen sa herë që ikën ndonjë nga shtëpia. Sot do të heqim Jozefinën! Urra! Sot do të heqim Majlinda Bregun! Urra! Sot do të heqim Astrit Patozin! Urra! Sot do të heqim Ilir Rusmajlin! Urra! Parti “Big Brother”! Në fund fare do të ngelet vetëm Luli tek pullë”, u shpreh Veliaj.

 

Po ashtu Veliaj theksoi se Sali Berisha nuk ka shans që të kthehet për herë të tretë në pushtet pasi përçau shqiptarët ndërsa PS nuk është si ata.

“Një parti që është katandisur të punoje vetëm për një familje, për të pasuruar vetëm një familje, për t’i thurur lavdet vetëm një familje, në dorë vetëm të një familje do të katandiset, si “Big Brother”, vetëm me një fitues në fund që është tek pullë vetëm ai. Por ne nuk jemi si ata; kur mendoj që Sali Berisha mbajti peng gjyshërit tanë dhe i përçau, mbajti peng prindërit tanë dhe i përçau, mbajti peng gjeneratën tonë dhe i përçau duke futur vëllavrasjen shqiptar me shqiptar, sharje shqiptar me shqiptar, thashetheme shqiptar me shqiptar. Nuk la fustan, vrimë çelësi poshtë krevatit pa u futur burri plak 80-vjeç. Një gjë ja them me siguri: nuk ka shans në botë të kthehet për herë të tretë Sali Berisha sa të jemi ne gjallë me duar edhe me këmbë, me energji edhe me pasion, me dashuri edhe me punë për ta çuar këtë vend përpara”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb