Mblidhet për herë të parë Komisioni i Posaçëm për Çështjet e raportit të Dick Marty. Kryetari i komisionit, Ulsi Manja propozoi për relatorë deputetet Klotilda Bushka dhe Elena Gjika, ndërsa në mbledhjen e radhës tha se do të diskutohet për kalendarin dhe programin që do të ketë ky komision.

Me kërkesë të veçantë në këtë mbledhje doli deputeti Myslim Murrizi, i cili kërkoi që para tyre të thirreshin dëshmitarë që kanë dijeni për ngjarjen.

Manja: Propozoj dy relatorë që në bashkëpunim me sekretariatin teknik do të administrojnë dokumentacionin e nevojshëm si dhe do të hartojnë raportin për komisionin tonë. Një nga grupi parlamentar i PS dhe një nga grupi i deputetëve të pavarur, do të propozoja zonjën Bushka dhe Elena Xhina nga grupi i pavarur. Në mbledhje ne radhës do përcaktohet kalendari dhe programi i punës së komisionit.

Murrizi: Dua të di nëse ligji i 2012 ka pas hetim nga organet ndërkombëtare, ka qënë hetim i pavarur apo ka marrë pjesë edhe prokuroria shqiptare? Nëse është thjesht komision për të marrë materiale të arkivuara diku nuk ka rëndësi ky komision, ne këtu duhet të thërrasim dhe dëgjojmë individë të përfshirë në hetim, apo të hamendësuar për krime siç hamendëson Dick Marty. Pra, nëse ka prokurorë nga Shqipëria që janë marrë me këtë çështje do ishte e udhës të thirreshin në komision. Po të jetë çështje shkresash le ta kërkojë protokolli i Kuvendit, s’ka nevojë të mblidhemi 9 deputetë këtu. Qershia mbi tortë e gjithë punës është se parlamenti duhet të miratojë rezolutë në mbështetje të luftës së popullit të Kosovës. Jemi mbledhur këtu për të prit postën që do vijë, apo do merremi realisht me këtë tollovi mediatike për të zbardhur diçka më shumë se ata që kanë e hyrë e kanë dalë duke mbushur trastat këtu e duke fjetur tek Rogner.

  • foto galeri

Manja: Kuvendi ka adresuar ngritjen e këtij komisioni, objekti i punës është i përcaktuar, ka të bëjë me sjelljen e institucioneve shqiptare se si e kanë zbatuar ligjin e miratuar në vitin 2012 apo se si është interpretuar raporti i Dick Marty. Ligji 53 i vitit 2012 i hapte rrugë bashkëpunimit me Eulex për të verifikuar të dhënat e raportit të Dick Marty. Secili nga kolegët është i ftuar, këtu të mos administrohen vetëm dokumentacione, por nëse çmohet e domosdoshme do ta vlerësojmë nëse do dalim me një raport. Unë mendoj që në mbledhjen e radhës kur të kemi programin dhe kalendarin ta diskutojmë.

Komisioni i Posaçëm nuk është komision hetimor. Veprimtaria bazohet në nenin 24 të rregullores. Në janar 2011 Asambleja Parlamentare e KiE ka miratuar një rezolutë, ku i kërkon autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar për të sqaruar të gjitha të dhënat në raportin e Dick Marty.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2012 ka miratuar një ligj ku i hap punë bashkëpunimit me EULEX për të sqaruar këto të dhëna.

Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, miratoi më 26 nëntor me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim, ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.

Përbërja e komisionit është konfirmuar sipas votimit në seancën plenare të Kuvendit, me 9 deutetë: Ulsi Manja kryetar, Enver Roshi zv. kryetar, Klodilda Bushka Sekretare dhe anëtarët Alket Hyseni, Adnor Shameti, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe Elena Xhina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb