Komisioni Hetimor është mbledhur ditën e sotme për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj u shpreh se çdo anëtar ka të drejtë të shprehë kërkesat e tij.

Ndërsa gjatë fjalës së tij Toni Gogu u shpreh se që në nisje të këtij Komisioni janë shkelur ligjet, ndërsa i bëri thirrje Alibeajt që t’i kthehet logjikës së ligjit.

Gogu gjithashtu kërkoi që të mos shtyhej më votimi i rendit të ditës dhe zgjedhjes së sekretarit.

“Kanë kaluar 12 ditë dhe vendimi i Kuvendit nuk po gjen zbatim. E nisët në shkelje flagrantë edhe sot vazhdoni. Hartuat një rregullore sipas mendjes tuaj dhe jo sipas vullnetit të këtij Komisionin. Kërkesat tona për zgjedhjen e sekretarit dhe miratimin e rendit të ditës janë mohuar. Ne, shumicës na u mohua e  drejta e votës në Komisionin ku do të hetojmë se si qytetarët iu mohua e drejta e votës.  Sot përsërisim kërkesën tonë që t’i ktheheni logjikës së ligjit, zoti kryetar mblidhni veten dhe vini rregull sepse nuk mund të na pengoni të ushtrojmë të drejtën e votimit të zgjedhjes së sekretarit të këtij Komisioni”, tha Gogu.

Ndërkohë mbledhja ka vijuar me diskutime mes anëtarëve.

Bardhyl Kollçaku: Këtu jemi të gjithë të barabartë. Drejtojeni këtë Komision siç e do ligjit. Nuk të quhet e miratuar në parim siç thotë zoti bardhi. Si mund të miratohet me 7 kundra dhe 7 pro, apo vota e kryetarit numërohet për dy. Ju lutem të miratojmë rendin e ditës.

Petrit Vasili: Ne kemi insistuar shpesh të citojmë ligjin, pavarësisht se si ai interpretohet. Nëse ka një njeri që nuk e kupton dot ky është problem tjetër. Këtu nuk kemi kohë për të shpenzuar dhe të përdoret për alibi të bojkotimit që bën mazhoranca. Nëse ikin është vendimi i tyre politik. Por nuk mund të vijnë e të na e shesin si procedura. Po ashtu dua të them se u tha dhe u pranua që kemi pasur një draft punë të nisur nga precedentë të tjerë. Ky është një material punë i hapur për diskutim.

Alibeaj: Më bëtë thirrje për të mbledhur veten. Unë jam i mbledhur, por nuk iu mbledh dot ju. Më thatë të hedh rendit e ditës, po ua rikujtoj ligji për Komisionin hetimor në pikën 4 thotë se kryetari deklaron, nuk hedh në votim. Përcakton detyrat dhe planin paraprak të hetimit. Nuk e hedh në votim se nuk më thotë ligji ta hedh në votim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb