TIRANE- Forumi për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkufitar lancoi sot në Tiranë mbajtjen e Konferencës Ndërkombëtare kushtuar bashkëpunimit ndërkufitar e ndër rajonal si kusht për integrimin rajonal, evropian e global.

Konferenca ndërkombëtare do të mbahet në fund të muajit mars të këtij viti në Prishtinë.

Sabri Kadriu, president i këtij forumi tha sot në Tiranë se kufijtë si vija ndarëse ndërmjet vendeve të Ballkanit duhet të shndërrohen në vija të bashkëpunimit dhe të integrimit. Dhe forumi që ai përfaqëson dhe që përbëhet nga përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor synon nxitjen e marrëveshjeve dhe bashkëpunimit ndërkufitar në funksion të përmirësimit te jetës së qytetarëve, lehtësimit të lëvizjes së lirë dhe zgjidhjes së problemeve në zonat kufitare pa tensione politike. Ai tha se një përpjekje e posaçme duhet të bëhet për të ndryshuar edhe qasjen e udhëheqësve të Ballkanit.

“Ne mendojmë se është një moment vendimtar tani që këta kufij që gjithmonë kanë qenë vija të ndarjes në mes shteteve ti shndërrojmë në vija të integrimeve. Ndaj dhe diskutimi jonë ka të bëjë me zhvillimin dhe bashkëpunimin ndërkufitar që kushtëzon, dhe mundëson integrimin rajonal dhe global. Ne edhe nëpërmjet mediave të informimit iu kemi thënë stop këtyre të këqijave që po ndodhin në Ballkan dhe këtyre kufijve që deri më tani vetëm na kanë ndarë; kanë ndarë lumenjtë; kanë ndarë njerëzit; kanë ndarë resurset ekonomike. Ne mendojmë se këta kufij tani nuk do të jenë më kurrë pengesë për lëvizjen e njerëzve, mallit, kapitalit por të jenë vija të cilat jo të ndajnë për të integrojnë. Ne shqiptarët në Ballkan jemi në një situatë shumë të vështirë”, tha Kadriu.

Forumi synon në radhë të parë zgjidhjen e problemeve kufitare pa tensione politike dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm në interes të shteteve që aspirojnë integrime në BE.

Megjithatë tensione e incidente po ndodhin herë pas here siç është edhe situata në fshatrat shqiptarë të brezit kufitar Kosovë-Serbi ku xhandarmëria serbe terrorizon banorët.

Selver Lenjani: Xhandarmëri serbe në fshatrat shqiptare në brezin kufitar Kosovë-Serbi

“Unë vij nga brezi kufitar fshati Karaqevë , komuna Kamenicë, ku atje është një situatë shqetësuese sepse jetojnë nën ankthin e frikës, prezencës së xhandarmërisë, forcave paramilitare që vijnë shpesh natën, se nuk ka më shumë se 1 vit që nuk korrigjohet kjo gjë nga Policia e Republikës së Kosovës, është zonë e ndaluar. Po llogaritet si territor i Republikës së Serbisë, mirpo ajo është tokë shqiptare, është tokë kadastrale, me harta me të gjitha që posedon edhe vetë flet toka e flasin banorë shqip,” tha Lenjani.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: