TIRANË

Partia Socialiste ka mbledhur sot Asamblenë Kombëtare që është zhvilluar online pa praninë e kryeministrit Edi Rama i cili ndodhet në Turqi së bashku me disa ministra për takime pune.

Asambleja u drejtua nga sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili hodhi në votim dhe rendin e ditës. Balla e nisi fjalën e tij duke uruar anëtarësinë, patronazhistët dhe kontributorët për fitoren e mandatit të tretë, teksa theksoi se do të ketë një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve në çdo qark dhe qendër votimi. Balla tha se Kongresi i PS më 12 qershor do të shënojë dhe fillimin e një fushate hapjeje të re të PS.

“Kjo është mbledhja jonë e parë pas fitores së Zgjedhjeve të 25 Prillit dhe natyrshëm një urim për gjithë anëtarësinë, patronazhistët dhe kontributorët tanë në fitoren historike të mandatit të tretë, të cilën, të gjithë së bashku e arritëm me një rezultat të qartë, bindës, kuptimplotë.
Duke mos harruar se kemi përmbyllur një mandate të dytë, më të vështirin në këto 30 vite, për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit dhe të pandemisë.
Si anëtarë të Organizmit më të lartë përfaqësues të Partisë Socialiste, kemi të gjithë nderin e të qenit pjesë e kësaj skuadre fituese dhe është përgjegjësia jonë ta lexojmë rezultatin me përgjegjësinë e të qenit Partia më e madhe në Shqipëri, duke e vlerësuar rezultatin e 25 Prillit si një mundësi të madhe për Shqipërinë.
Ne do të bëjmë një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve në çdo qark në muajt në vijim, por dua të rinënvizoj faktin se ne do të kishim 78 mandatë, pra edhe katër mandate më shumë, nëse nuk do të ishte numri i madh i votave të pavlefshme, të atyre që zgjodhën PS, 12 në Dibër, në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan, por që votën preferenciale për kandidatin e vendosën gabim.

Por si në çdo kompeticion, ne sot jemi në kohën e duhur për të filluar një analizë të thellë të rezultatit në çdo qendër votimi, pra në çdo organizatë socialiste, në çdo Këshill Socialist, në çdo bashki dhe në çdo qark.
Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023, dhe ato parlamentare në vitin 2025”, deklaroi Balla.

Ai tha më tej se në të gjitha qarqet ne duhet të përmirësojmë përbërjen e strukturës sonë organizative dhe forcimin e organizatave tona socialiste, të cilat jo në të gjithë territorin kanë dhe kishin efektivitetin e duhur sipas targetit të vendosur.

“Prandaj Asambleja Kombëtare, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, do të thërrasë Kongresin e Jashtëzakonshëm, për fillimin e një fushatë hapjeje të re, më të madhe dhe reale të Partisë Socialiste, duke iu ofruar një mundësi të besueshme përfshirjeje të të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e strukturave tona vendore.
Kongresi do të autorizojë Kryetarin dhe Kryesinë e Partisë për ngritjen e menjëhershme të një Komisioni i Posaçëm Riorganizimi”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i PS.

Ai tha më tej se përbërja e Komisionit të Posaçëm të Riorganizmit dhe të analizës, do të synojë mbulimin e të gjithë territorit të vendit me qëllim zhvillimin e një analize të njëtrajtshme dhe efektive në çdo cep të Shqipërisë.
“Më 12 qershor, familja jonë, Partia Socialiste mbush 30 vjeç dhe 12 qershori është dita e duhur sepse 12 ishte dhe numri i duhur për të thirrur kongresin tonë të jashtëzakonshëm, ku jo vetëm të kremtojmë si duhet këtë përvjetor kaq të rëndësishëm me të gjithë brezat që kanë kontribuuar në PS, por natyrshëm në Kongres kryetari i PS dhe përfaqësues të tjerë do të paraqesim vizionin Shqipëria 2030, si dhe angazhimet kryesore të programit të ri qeverisës”, u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb