TIRANE

Themelohet zyrtarisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend. 11 anëtarët, 6 prej të cilëve prokurorë të zgjedhur vetëm para një jave, dhe 5 joprokurorë, të cilën qëndruan në pritje plot një vit, më në fund u bënë bashkë në mbledhjen e tyre të parë. Të ulur në të njëjtën sallë, ku dikur zhvillonte mbledhjet Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ata votuan dhe zgjodhën kryetarin dhe nënkryetarin.


Gent Ibrahimi, ekspert i nivelit të lartë për reformën në drejtësi, fitoi besimin e kolegëve dhe mori në duar drejtimin e institucionit që konsiderohet si qeveria e prokurorëve. Përballë ekspertit, garoi avokatja Nurihat Seiti, gruaja që thirri mbledhjen sikurse e ngarkonte ligji, për shkak se është më e vjetra në moshë nga anëtarët joprokurorë. Alfred Balla, që përfaqëson shoqërinë civile, u votua nënkryetar i Këshillit, duke lënë pas kandidatët Nurihat Seiti dhe Tartar Bazaj.

  • foto galeri
  • foto galeri

Referuar ligjit, tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë do të ushtrojnë detyrën me mandat të kufizuar. Këtë cështje e zgjidhën goglat. Arben Dollapaj, nga Apeli i Shkodrës dhe Antoneta Sevdari nga institucioni i akuzës në kryeqytet, nuk patën shumë fat me goglat, pasi do ushtrojnë detyrën me mandat të 3 vjecar. Ndërsa, Kostaq Belurit, si i vetmi vetmi përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme i kufizohej automatikisht mandati.

Nga anëtarët joprokurorë, tri vite në këshill do të qëndrojnë kryetari Ibrahimi dhe anëtari Sandër Beci.
Gjashtë anëtarët e tjerë, sipas ligjit ushtrojnë detyrën me mandat 5 vjecar. Mbledhjen e parë të këshillit e ndoqi nga afër Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, e cila në dalje nuk i dha përgjigje pyetjes nëse do të rikandidojë për këtë post. Por njerëz të besuar të kabinetit të saj, thanë se Marku do të paraqesë kandidaturën, sapo Këshilli të hapë garën për Prokuror të Përgjithshëm me mandat 7 vjecar.
Sipas ligjit, Këshilli pritet ta hapë këtë garë, javën e ardhshme.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: