Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali.

Me anë të një postimi në Facebook, kreu i shtetit ka theksuar se ka mbetur i surprizuar nga ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditave nga arbëreshët.

Postimi:

Takimet me përfaqësues të komunitetit shumë të dashur arbëresh janë gjithmonë emocionuese. I lumtur të prisja ngrohtësisht Nënkryetarin e Bashkisë Arbëreshe të Ururit, Molise, z.Emiliano Plescia dhe Këshilltarin për Kulturën të kësaj Bashkie, z.Roberto Anzivino.

Është mbresëlënëse dhe frymëzuese të njihesh me përpjekjet e tyre për të trashëguar brez pas brezi gjuhën, kulturën dhe traditat e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që meritojnë sa më parë të bëhen pjesë e UNESCO.

Jetike për mbrojtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar të mbështesim dhe ndihmojmë arbëreshët të ruajnë këtë pasuri të vyer historike dhe kulturore, vlerë e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë mike.

E mirëprita me shumë kënaqësi ftesën për të vizituar Bashkinë e Ururit dhe do të kontribuoj me shumë dashuri për pasurimin e bibliotekës së saj me libra dhe botime në gjuhën shqipe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb