Sipas të dhënave zyrtare, Mbretëria e Bashkuar ka administruar mbi 10 milionë vaksina të koronavirusit të ri (COVID-19).

Me dy doza të nevojshme për mbrojtje nga virusi, 9.646.715 persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërkohë 496.796 kanë marrë të dy dozat. Numri i përgjithshëm i dozave të marra të vaksinës është 10.143.511.

Në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, midis 27 janarit dhe 2 shkurtit u regjistruan 162.877 infeksione të reja, përfshirë 16.840 brenda 24 orëve të fundit, shifër që përfaqëson një rënie prej 26,9 për qind krahasuar me javën e mëparshme.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 ka tejkaluar 3.8 milionë, përfshirë 108.013 viktima.

Ndërkohë, lloji i ri i virusit të Afrikës së Jugut u zbulua në tetë zona të Anglisë, përfshirë qytetet Liverpool dhe Bristol.

Ndërron jetë Kapiteni Tom

Kapiteni Sir Thomas Moore, i cili ishte 100-vjeçar, ka ndërruar jetë nga koronavirusi, njoftoi familja e tij.

Kapiteni Tom, një veteran i Luftës së Dytë Botërore, grumbulloi shtoi rreth 53 milionë dollarë për organizatat bamirëse të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) gjatë fazës së parë të pandemisë në mars të vitit 2020.

Ai doli pozitiv javën e kaluar dhe trajtohej me ilaçe për pneumoni.

Në një deklaratë me shkrim, kryeministri britanik, Boris Johnson, e përshkroi Kapitenin Tom si një “hero në kuptimin më të vërtetë të fjalës”, duke shtuar se ai u bë jo vetëm një frymëzim kombëtar, por edhe “një fener shprese për botën”.

Kapiteni Tom u nderua me çmimin “Kalorës” nga Mbretëresha për përpjekjet e tij bamirëse në korrik të vitit 2020.

Pallati Buckingham po ashtu dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së tij.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb