ARABI SAUDITE- Argjendaritë në Riad të Arabisë Saudite, po fërkojnë duart, pasi siç thonë ata, këto ditë ka më shumë klientë sesa mund ti shërbejnë. Për këtë arsye, televizionet e njohura kanë bërë reportazhe, në mesin e të cilave edhe NBC.
Dyndjet e tilla të qytetarëve arabë drejt argjendarive nuk janë të rastësishme, sepse mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud, në kohën kur pjesa më e madhe e botës është në borxhe, ka vendosur të shpërblejë qytetarët e tij me afro 32 miliardë dollarë.

Këtë vendim ai e ka marrë muajin e kaluar kur ka trashëguar mbretin e ndjerë, gjysmë-vëllain Abdullah bin Abdulaziz Al Saud. Fjala është për njw shumë mw tw madhe se buxheti i Nigerisë, që paraqet ekonominë më të madhe afrikane. Apo, në krahasim me shqiptarët, kjo shumë është sa afro 18 buxhete të Kosovës apo 9.5 të Shqipërisë, transmeton Telegrafi.

Sipas të dhënave të ofruara nga New York Times, rreth tre milionë të punësuar, nga 5.5 milion që janë gjithsej, do të fitojnë dy paga mujore, që sipas standardit i bie afro pesëmijë dollarë. Pos kësaj, paratë do të ndahen për klubet sportive, për artin dhe shoqatat e tjera profesionale. Ndërsa, do të ketë investime edhe në ujësjellës dhe energji elektrike.

Investimet e mëdha të qeverisë nuk janë risi në këtë vend, pasi shumë hapësira rurale kanë përparuar pikërisht për shkak të investimeve të mëdha, për çka fshatarët nuk po merren me bagëti por drejtojnë xhipa dhe flasin me iPhone.

Megjithatë, shpërblimi i sivjetmë tërhoqi vëmendje të madhe e arsyet janë të shumta për këtë. Mbreti Salman, siç raporton BBC, thuhet se nuk do të jetë i interesuar shumë për reforma shoqërore të shtetit, por se do të orientohet tek rregullat strikte fetare, për çka e filloi mbretërimit të tij me ndërrime të shpejta në organet qeveritare dhe shkarkimin e një numri të madh të ministrave.

Në këtë mënyrë ai u bë shumë popullor në mesin e banorëve, kështu që rrëfimet për shkelje të të drejtave të njeriut apo për reforma publike dalin në plan të dytë.

Përveç kësaj, sipas vlerësimeve të fondeve të mëdha të investimeve, rënia e çmimeve të naftës do të reduktojë të ardhurat e tregtisë së Arabisë Saudite me “ar të zi” për rreth 20 për qind, gjë që mund të rezultojë në rritje të deficitit, prandaj kjo dhuratë tingëllon edhe më interesante.

Ka spekulime se i ashtuquajturi “akt i vullnetit të mirë” ka një sfond politik: për të larguar frikën e shtetit nga ekstremistët islamikë, që janë në fqinjësi, e për çka ekziston frika se ata do të ndikojnë negativisht tek të rinjtë sauditë siç po ndodh në vendet tjera të rajonit.

“Fakt është se shumica e popullsisë varet nga subvencionet e qeverisë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Por, një ditë do të zhduket edhe nafta jonë, kështu që nuk mendoj se nuk është mirë ta përkëdhelim popullin kështu”, thotë Abdullah al-Alami, shkrimtar dhe ekonomist saudit, në një bisedë për New York Times.

Por, për këto që u cekën nuk mendon kush. Sauditët kanë filluar të shpenzojnë paratë, shkruan Times of India. Madje edhe rrjeti social Twitter është plot shaka që kanë të bëjnë me sasinë më të mëdha të parave të sauditëve në kuleta. Po blihen bizhuteritë dhe floriri, disa martohen me gruan e parë, me të dytën apo të tretën, e disa i dhurojnë paratë për bamirësi. Ka edhe të atillë që po i lajnë borxhet, pasi paga mujore në Arabi mjafton për të gjitha nevojat e tyre. Ka të tillë si Sahir Mohammed, mësues i shkollës së mesme, që ka vendosur që paratë t’i shpenzojë për një banesë me qira dhe bileta për transport. Njësoj si ky po veprojnë edhe shumë të tjerë.

Vlen të përmendet se ata që kanë biznese private nuk kanë harruar punonjësit e tyre. Pas vendimeve të mbretit, disa kompani private kanë bërë të njëjtën gjë duke shpërblyer punëtorët, e kjo po i gëzon edhe më shumë tregtarët në këtë pjesë të botës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb