Adil N.Biçaku                                                

Pjesa e tetëmbëdhjetë

ORIENTI EUROPES

Land af Albania! Let me bend mine eyes

On thee, thou rugged nurse of savage men.

                        Lord Byron.

Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

     Me shumë respekt

       Adil Biçaku

                                              Vijon nga numri i kaluar

Një çun shpërndarës telegramesh, qëndron në tarracë, valëvit një telegram jeshil dhe thërret një emër. Bisedat ndalin për një çast dhe bie një pamje e befasueshme në sy të klientëve të “Kursal”-it. Monsinjor X, shpërthen në një qeshje të çirrtë përçmuese dhe se Monsinjor X, është një zotëri i respektuar, kështu që shkakton një tallje të gjerë, si një erë e freskët mbi klientelën e përzier të bahçes. Po ta gjykosh nga emër-marrësi i telegramit, duhet të jetë të paktën një person kureshtar. Djali gërthet me deklamim, që të duket se do të lidhë gjuhën, para se fjala të dalë prej gojës. Kjo është një kakofoni zërash, pa lidhje, afërsisht si kur ndonjë që flet në ekstazë në kishën e Filadelfisë. Ai burri i vogël belbëzon dhe pështyn, aq sa është skuq në fytyrë.

Ky personi kurioz jam unë vetë. Dikush bën një gjest shakaje në drejtim të anës time dhe para se unë hap gojën, ashtu ulur kam në dorë telegramin e ngjitur me shumë kujdes. Ky është një lajmërim me radio, dërguar nga avullorja italiane “Bari” në rrugë, prej Durrësi për Itali dhe ka vetëm një fjalë, por fjalë shumë të njohur, atë fjalë të cilën shumica e suedezëve e konsiderojnë të domosdoshme, për një jetë të shëndetshme dhe se të gjithë të huajëve, u duket jashtëzakonisht humoristike. Aty shkruan:

SKAAL!(Gëzuar)

Asgjë tjetër. Por unë e di nga vjen dhe unë mendojë, siç po vazhdohet ishte e mrekullueshme sipas stilit, që unë mora këtë telegram, pikërisht këtu në “Kursal”. Ky është në fakt, një telegram mjaft interesant dhe ato pesë shkronjat, përbëjnë një komedi të vogël, mund të quhet, një komedi shqiptare, po deshe.  Shqipëria është një shtet i porsalindur dhe shtetet e porsalindur, kanë një forcë tërheqëse të çuditshme për ekzistencën e aventurave të ndryshme. Kjo është sikurse flutura dhe drita. Burra, të cilët për një apo tjetër arsye e kanë bërë të pamundur, në vendin e tyre dhe besojnë se atje, gjejnë mundësi për karrierë të shpejtë dhe të çuditshme.

Burra, të cilët e shohin situatën e drejtësisë së vendeve të vjetra të kulturës, tepër të papërshtatshme për tregtira të suksesshme, ëndërrojnë për pasurime të menjëhershme, për arsye të gjendjes së turbullt. Kështu është edhe një kategori tjetër: ata, të cilët në fakt, s´kanë prirje kriminale, fantazojnë për “aventurë”, d.m.th., komplote, rebelim dhe stimulanca të tjera të njëjta. Nganjëherë mund të ndodhë, që këta zotërinj kanë njëfarë suksesi dhe janë pjesëmarrës në shumë ngjarje, të cilat do të ishin të pamundura në atdheun e tyre. Kjo është veç e natyrshme, që banorët e një shteti të vogël me dëshirë, marrin këshilla dhe ndihmë nga të huaj, prej kombeve të mëdha, të pasur dhe të përparuar. Kjo është edhe e natyrshme, që shteti i vogël ende nuk ka arritur të ketë përvojën dhe mësimin e botës, e cila e bën të mundur të ndash egjrën nga gruri.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ai Halleningu i gjatë, emrin e tij nuk do ta tradhtoj: Suedia është një vend i vogël, pothuaj se i atribuohet kategorisë së etjes për aventura. Para ndonjë jave, ai u duk këtu në “Kursal” dhe zgjoi menjëherë vëmendje, me anë të trupit të gjatë, mënyrën e qeshur dhe inkurajuese, dhuntinë fenomenale të gjuhës. Halleningu ishte një zotëri, i cili dinte t´í bënte njerëzit për vete. Ai krijoi shoqëri sa majtas djathtas dhe se ai kishte një mision shumë të rëndësishëm, ai pritej si me respekt, ashtu dhe me nderime. Për banorët e Tiranës në fakt, nuk njihej si suedez por si anglez. Qe për herë të parë, kur unë rashë në kontakt personal me të, unë e mora vesh se ai ishte më nënshtetasi suedeze. Me atë hallenskan e gjerë shpjegoi ai:

-Qe kënaqësi të takojë një suedez. Unë nuk kam qenë në shtëpi, që prej 15 vjetësh. Tani banojë në Angli dhe jam nënshtetas anglez, që prej disa vjetësh. Unë qesh i detyruar të natyralizohem, sepse firma ime nuk e parasheh të ketë ndonjë të huaj në shërbim të vet.

Halleningu qe si të thash një djall burri, jashtëzakonisht simpatik dhe ne kaluam disa ditë argëtuese, të mrekullueshme së bashku. Ai qe një historian i mrekullueshëm dhe dinte çdo gjë mbi gjithçka. Tiranën e kishte në pesë gishtat e dorës, për të mos fol për njerëzit me famë. Nuk gjeje një banor Tirane, të ndonjë pozite deri diku të naltë, për të cilin ky patrioti im i këndshëm, nuk kishte ndonjë histori për të treguar, që në fakt ishte gënjeshtër, ose të paktën tepër e ekzagjeruar, por pa asnjë përjashtim të pajisura me pikë të mrekullueshme. Kundërthëniet e shpeshta, që bënte në paraqitjen e rrethanave dhe dukurive i frynte tutje, me një gjëmim të të qeshuri, që bënte një përshtypje bindëse. Ai ishte një burrë i spikatur.

Përsa i përket misionit të tij të rëndësishëm në Shqipëri, ngeli për mua sikurse për shumicën e të tjerëve, kur e zbuloi në një formë të një besimi shumë të madh, sikur edhe mund të kaloje nëpër zjarr dhe ujë, për të mos e tradhtuar. Ishte edhe shumë e rëndësishme, se nuk e shpërdoroje besimin në miqësinë e tij: kush do të donte të bëhej shkaktarë, që ky burrë simpatik të pushohej nga puna dhe nga misioni i firmës?

Firma nuk ishte asnjë tjetër, përveç Shoqata Anonime e Automobilave, “Rolls-Rojs” në Londër dhe Halleningu ishte ambasadori i jashtëzakonshëm i kësaj ndërmarrje, një pozitë, që kërkon më shumë nga personi në fjalë, se sa një person i pa informuar, nuk mund ta marri me mend. I dërguari i “Rolls-Rojs”-it, duhet të jetë diplomat i kalibrit të madh, me gjykim të përsosur, ‘savoir vivre’ dhe me talent për tregti. Halleningu dukej se i posedonte padyshim këto kualifikacione.

Një ditë kishim lënë takim në një qoshe të bahçes. Pasi Halleningu përshëndeti përzemërsisht, një nga një miqtë që ishin prezent, më dha besimin e madh. Ky vijon kështu:

-Ju e keni shumë të qartë, se ‘Rolls-Rojce’, nuk është ndonjë ndërmarrje automobilash, si të thuash automobilat e saj nuk janë automobila të zakonshëm. ‘Rolls-Rojce’, është monarku i botës së automobilave, një auto me gjak blu, krijuar për persona me gjak blu. Fatkeqësisht personat me gjak blu, nuk kanë gjithnjë rast për të siguruar një ‘Rolls-Rojce’ dhe firma është detyruar, të bëjë tregti edhe më ata, të cilët i përkasin aristokracisë monetare. Unë them fatkeqësisht, sepse ne nuk do dëshironim t´u shisnim të tjerëve, përveç atyre që me të vërtetë, janë të denjë.

Por koha është e vështirë dhe paret janë pare. Bile dhe ju, keni mundësi të porosisni një nga karrot tona, ne prodhojmë vetëm me porosi, nëse ju jeni milioner dhe mundeni të bëni pa ato gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë mijë kartëmonedha, që kushton automobili. Po qe ashtu natyrisht, ju duhet të më jepni një kontratë me shkrim, ku ju garantoni firmën, për të drejtën e riblerjes së autos, po qe se emri i juaj do të figuronte në ndonjë ngjarje të papëlqyer. Ne duhet të mbrohemi në një far mënyre. Ku do të shkonim pa marrë masa përkujdesje?

Po kohët janë të këqija dhe kundër dëshirë sonë të thellë, detyrohemi nganjëherë të bëjmë tregti, si firmë krejt e zakonshme. Por gjithsesi ‘Rolls-Rojce’, është automobili i mbretërve dhe i princërve. Në kohën e kaluar kishte karro të stolisura për ceremonira. Sot karrot e ceremonive, quhen: ‘Rolls-Rojce’. Ndonëse këtu dua prapë ta lidh me pasojat e krizës botërore, në jetën e tregtisë së sotshme: as mbretërit dhe princat, kanë gjithnjë vakt të blejnë karrot tona. Një mbret duhet të ketë një ‘Rolls-Rojce’, ka apo s´ka mundësi ekonomike. Nuk do të ketë kurorën dhe heshtën? Këtë e kemi kuptuar plotësisht, njëkohësisht i kuptojmë vështirësitë ekonomike të kokave të kurorëzuara. Prandaj neve u kemi dhuruar një numër karrosh disa monarkëve.

Një hije serioze prehej mbi fytyrën e Halleningut.

-Obligimi im diskret, më ndalon të përmend ndonjë emër. Por ju do të hapnit sytë nga surpriza, nëse ju do të dëgjonit se kush nga monarkët e Evropës, udhëton me automobila të falur.

-Tani ndoshta e merrni me mend, kuptimin e qëndrimit tim këtu në Tiranë. Mbreti Zog, është një burrë i aftë, që ka tërheq vëmendjen e botës. Çfarë është më e natyrshme se edhe ai, të ketë një ‘Rolls-Rojce’? Janë mbretërit ata që krijojnë modën dhe ka një pjesë të mirë populli të pasur edhe në këtë vend. Në mirëbesim të them: unë jam këtu për t´i dorëzuar dhuratën. Automobili arrin brenda disa ditësh në Durrës dhe unë do ta ngas direkt, për në rezidencën mbretërore. Por kjo është e rëndësishme, se asgjë nuk do të merret vesh para kohe. Mbreti Zog, ende nuk di asgjë. Shefat e mi duan, që ajo të jetë një surprizë dhe unë kam për të ndjek instruksionet e mia. Kjo do të thotë shumë për mua, që çdo gjë të përfundoj mirë. Ju pra nuk duhet t´mos u pëlqej, që unë ju lutem, të konfirmoni premtimin për heshtjen, me një shtrëngim duarsh. Ne i dhamë dorën njëri tjetrit.

-Çfarë pamje ka automobili, që do i jepet Mbretit? Pyeta unë.

Halleningu buzëqeshi në heshtje.

-Ju atëherë doni të dini mbi çdo gjë. Ai është një auto i atij tipi, sikurse ka dhe Hitleri dhe si ai, që ishte në pronë të Aleksandrit, para se Princ Pavli ta përvetësonte. Ai është një “Armed car”, d.m.th. të duket si një ‘Rolls-Rojce’, krejt i zakonshëm, thash unë, fare i zakonshëm, si një ‘Rolls-Rojce’, mendojë unë, por është i pajisur me shumë pajisje mbrojtjeje të fshehta. Pran shoferit ndodhet një testier. Po shtype një nga butonat, rrapëllijnë grillat e llamarinës anti-plumb, poshtë në gjithë dritaret dhe lën vetëm një plasaritje të ngushtë për atë, që nget. Vetëkuptohet se gjithë karroceria është e prodhuar nga llamarinë e armuar dhe e llakuar elegante. Në çati është një far rrethi, disa decimetër i ngritur. Ai është një mitraloz në miniaturë, i cili po ashtu manovrohet prej testierit dhe me të cilin, shtinë me ndihmën e një periskopi. Karroja është një tank luksoz dhe mjaft i maskuar me një fjalë. Po shumë i maskuar. Por një i pa regjur pothuaj nuk ka mundësi të zbulojë diçka të dyshimtë.

-Por është tani ky arsenal luftarak në të vërtetë krejtësisht i domosdoshëm?

-Zot i madh, ka rreziqet e veta të jesh monark në Ballkan! Shih Aleksandrin e Jugosllavisë! Përgjigjet, Halleningu para se të largohet në triumf me disa deputetë, të cilët donin të zbaviteshin me këtë burrin e shquar.

Disa ditë më vonë na dha një ftesë shumë solemne, për një darkë mua dhe zonjës sime. Shefat e tij i kishin telegrafuar dhe kishin shpreh dëshirën, nëse ai mund të mblidhte elitën e Tiranës në një takim festiv përfaqësie. Darka solemne do të bëhej në restaurantin “Adriatik”, që është marrë me qira për këtë qëllim. Do të vinin edhe një numër grash. Neve prisnim festën me shumë ankth dhe mendonim, se do të ishte shumë interesante, të shohim se sa gjatë ‘Rolls-Rojce’-ambasadori, do të guxoj të zhvilloj lojën e tij. Prefekti lajmëroi, se ai kishte marrë ftesë. Edhe shefi i Xhandarmërisë angleze, i ishte përgjigjur ‘po’ ftesës. Midis të ftuarve të shquar, dallohej shefi i shkollës ushtarake, një numër ministrash, tregtarë të shquar, konsulli suedez, zoti Feuerstein.

Një ditë para fillimit të festës, shkoi Halleningu në Durrës për të marrë automobilin mbretëror ‘Rolls-Rojce’, i cili tani më në fund kishte ardh. Në mbrëmjen e festës, prisnin miqtë më kot të dëgjonin diçka prej zotit të festës. Por Halleningu, nuk u ndie fare. As këtë ditë as dhe ndonjë ditë tjetër. Darka e madhe solemne e ndërmarrjes ‘Rolls-Rojces’, nuk do të fillonte kurrë. Halleningu kishte bërë një gabim fatal, me ngazëllimin e tregtisë mashtruese: ai e kish mbivlerësuar madhësinë e kryeqytetit shqiptar. Gjuhët e Tiranës së vogël, është e vështirë t’i bësh zap.

Historia e ‘Rolls-Rojces’ të Halleningut u ngjit shpejt mbi murin e betonit të Mbretit Zog, prandaj pozicioni i dërguesit origjinal të automobilit, u bë i pasigurt. Ai e pa më të përshtatshme të udhëtoj për në Durrës “për të rimarr tankun luksoz, të Zogut I-rë “. Dhe këtë marrje e bëri aq rrënjësisht, që ai nuk u kthye kurrë prapë.

Tani sot vjen ky telegram. Janë veç pesë shkronja, që së bashku formojnë një fjalë banale, por për djall, më duket sikur letra dridhet nga të qeshurit, në duart e mija:

SKAAL!(Gëzuar)!

Kështu në këtë errësimin e shpejtë, klientët fillojnë të lejnë “Kursal”-in. Një shërbyes i stallës tërheq një kalë të racës, më të shquar të bardhë dhe gjeneral di Ghilardi, hedh një monedhë në tavolinë dhe hipën në kalë. Kjo është një dalje pompoze dhe zgjon admirim të përgjithshëm. Dy deputetë ecin në rrugë, krah për krahu. Monsieur X, është ulur vetëm dhe numëron paret. Bajraktari i vjetër i malësisë, me rojën e tij, kryqëzojnë rrugën me hapa krenarie dhe zhduken brenda në “Hotel Ballkan”, për t’u shtri në krevatin me morra. Oficerët kanë shkuar te “Gloria” dhe “Nacional”. Unë jam së shpejti vetëm, pranë tavolinës sime, ndërsa errësira rreth meje bëhet më e dendur dhe drita e dritareve mbi tarracën, bëhet më e fortë. Të dy rrugët nga të dy anët e kafes së kopshtit, janë boshatisur nga njerëzit, qetësia është e thellë dhe e mrekullueshme. Karrocat e mëdha me mbulesat e ngritura dhe me llambat e ndezura, parakalojnë anash. Hijet e forta të palmave, janë shlye nga errësira.

Kamerierja flokë kuqe, kalon nga unë tri herë në minutë. Ajo do, që unë, të iki. Mbrëmjet janë të shtrenjta për një greke koshiente, e cila mendon të hapë një kafe në Athinë.

Dhe kështu përfundon një ditë në jetën e Tiranës. Në të Tiranës dhe të “Kursal”-it. Por nesër vijnë myshteritë sërish dhe kafja rimerr pamjen e zakonshme. Intriga, muzika zukatëse, luan programin e saj monoton, oficerë, politikan dhe bajraktar, përkulen mbi gotat e rakisë dhe filxhanët e kafes. Demonia greke, lyen faqet me të kuq, llak të kuq në buzët dhe fsheh hijet e errëta, në blu të syve me shtresa të trasha pudre. Monsieur X, çapitet përqark për gjah, për misione të reja.

Por vetë jam ulur në një veturë dhe vazhdoj gjatë Via Egnatia, larg drejt një qyteti tjetër dhe një atmosfere tjetër./Memorie.al

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: