Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ka prezantuar sot draftin e parë të projektligjit të ri të pyjeve gjatë një dëgjesë të zhvilluar me ekspertë mjedisorë, inxhinierë pyjesh, pedagogë dhe grupe  tjera të interesi.

Ky dokument vjen si një veprim konkret në përfundim të operacionit 100-ditore  të pastrimit “Krijo O2 tënd” si dhe për zbatimin të Dokumentit të Politikave për Pyjet 2019-2030, i cili vjen 4 synime afatgjata nëpërmjet 40 masave konkrete.

Për herë të parë pyjet  do të trajtohen si pasuri e përbashkët me qëllim prioritar zhvillimin rural, të komuniteteve lokale dhe shtresave vulnerabël të shoqërisë. Ai theksoi se janë ashpërsuar masat ligjore, ku kundravajtësit do të penalizohen deri në heqje liri.

“Së pari, ky pr/ligj përafron legjislacionin shqiptar me atë të BE-së për pyjet; Krijon një skeme licencimi për importin e drurit në Komunitetin Europian dhe mbi detyrimet e operatorëve që vendosin lëndë/produkte druri në treg. Pr/ligji përforcon statusin e pyjeve si një pasuri me vlera kombëtare dhe si kontribues të çmuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.

Ai parashikon gjithashtu të drejtën e përdorimit të fondit pyjor dhe të gëzimit të fruteve që rrjedhin prej tij, nga personat që u janë dhënë në përdorim pjesë të fondit pyjor, në masën që kanë nevojë për vete dhe për familjet e tyre. Familjeve dhe komuniteteve në zonat rurale u njihet e drejta e përdorimit të sipërfaqeve të fondit pyjor në afërsi të fshatit. Në kuadër të politikave sociale për zbutjen e varfërisë, shtrohet ideja e dhënies të së drejtës së shitjes së materialit drusor të vjelë nga fondi pyjor për familjet në nevojë që përfitojnë ndihmë ekonomike”, tha ministri Klosi. Drafti parashikon gjithashtu krijimin për herë të parë të Agjencisë Shtetërore të Pyjeve si një institucion i ri nën varësinë e MTM-së, duke plotësuar hallkën e munguar ndërmjet ministrisë dhe bashkive, të cilave do tu kalojë e drejta e administrimit dhe e inspektimit të pyjeve bashkë me zonat e mbrojtura.

“Ky projektligj i hap rrugën shfrytëzimit të rolit të strukturave komunitare në fshat për përdorimin e qëndrueshëm të pyjeve në fshat, me qëllim zhvillimin e zonave rurale. Përmes tij, organizohet Sistemi i Dijes mbi Pyjet; Fuqizohet roli i institucioneve të arsimit të lartë dhe profesional për ekspertiza shkencore në fushën e pyjeve; Parashikohet përfshirja në kurrikula të informacioneve mbi pyjet dhe rëndësinë e shfrytëzimit të tyre për të prodhuar ekonomi. Dhe një ndryshim i rëndësishëm që vjen në këtë pr/ligj që prezantojmë sot është përshkallëzimi i dënimeve dhe masave ndaj kundërvajtësve, si: Pezullim/bllokim të aktivitetit, heqjen e licences, sekuestrimin dhe gjoba ndaj punonjësve të institucioneve në rast shkeljesh/moszbatimi të përgjegjësive ligjore”, tha ministri Klosi. Në përfundim të fjalës së tij, ekspertët bënë komentet e tyre në lidhje me përmbajtjen e projektligjit, reflektime që do të shqyrtohen dhe integrohen në draftin e radhës, për të kaluar më pas për miratim në qeveri”-tha Klosi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: