Konferenca e 19-të e Palëve Kontraktuese të Konventës së Barcelonës për Mbrojtjen e Mjedisit Detar dhe të Rajonit Bregdetar të Mesdheut ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Republika e Shqipërisë për të organizuar vitin e ardhshëm në Tiranë takimin e Konferencës së Palëve COP20.

Gjatë konferencës së mbajtur në Athinë në datat 9-12 Shkurt 2016, palët e pranishme shprehën miratimin për ftesën e Shqipërisë, duke vendosur që Konferenca e 20-të e palëve të mbahet në Tiranë në fund të vitit të ardhshëm.

Shqipëria aderon në Konventën e Barcelonës prej vitit 2000. Konventa e Barcelonës dhe Protokollet e saj, së bashku me Planin e Veprimit për Mesdheun, janë pjesë e Programit të UNEP për Detet Rajonal.

Aktualisht, Konventa e Barcelonës ka 21 vende anëtare dhe vendet e Bashkimit Evropian.  Ndër objektivat e Konventës së Barcelonës janë: vlerësimi dhe kontrolli i ndotjes detare; sigurimi i një menaxhimi të qëndrueshëm të natyrës detare dhe burimeve bregdetare; integrimi i mjedisit në zhvillimin social dhe ekonomik; mbrojtja e mjedisit detar dhe zonës bregdetare nëpërmjet parandalimit dhe reduktimit të ndotjes, dhe aq sa është e mundur eliminimin e ndotjes, qoftë kjo me bazë në tokë apo në det; mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore; forcimi i solidaritetit mes Shteteve Bregdetare të Mesdheut dhe përmirësimi i cilësisë së jetës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: