Nga MONIKA SHOSHORI STAFA

Shumë gjëra kanë ndryshuar në këto pak vitet e fundit lidhur mbi çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale. Së pari, raporti i ndryshëm që ka nisur në marrëdhënien mes të drejtës së privacisë dhe mbrojtjes së të drejtave të tjera. Në këtë gamë është për t’u evidentuar, “e drejta e sigurisë dhe e drejta për të ditur”, të cilat janë dhe dy parimet kryesore të botës së sotme, parime të cilat mbështeten kryesisht në zhvillimet gjithnjë e më të avancuara të teknologjive të vëzhgimit dhe komunikimit. Së dyti, nga ana tjetër, është hovi i ri që po merr zhvillimi i sistemeve të telekomunikacionit, një situatë, e cila po përballet me mundësi gjithnjë e më të reja për thithjen, ruajtjen, përdorimin e të dhënave dhe informacionit me kosto gjithnjë e më të ulët.

Ndërveprimi i këtyre dy fenomeneve po ngre sfida gjithnjë e më të reja mbi çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo është dhe arsyeja pse sot ekspertët europianë mbi çështjen e mbrojtjes së të dhënave, janë më shumë se të vëmendshëm për të pasur rolin e tyre në një mënyrë të ndryshme nga më parë. Ata priren të shkojnë përtej mbrojtjes së thjeshtë të të drejtave individuale. Qëllimi është që nëpërmjet këtij ligji të mbrohen të dhënat dhe jo të ushtrohet presion mbi këtë proces të ri që ka nisur prej dy dekadash, të paralajmërohet dhe çdokush të informohet më shumë sesa ta quash procesin të paligjshëm dhe mbi të gjitha të tërhiqet vëmendja e gjithsecilit mbi ndryshimet e vazhdueshme teknologjike, që nga qytetarët dhe institucionet deri te bizneset e organizatat e shoqërisë civile dhe kulturore.

Vetëm kështu i ndihmojmë ata të kuptojnë se çfarë po ndodh mbi rreziqet që lidhen me teknologjitë e reja. Unë dua të argumentoj se shqetësimet etike janë çështje esenciale të së drejtës së privacisë. Ato janë e ardhmja se si shoqëria do të jetë gjithmonë në vrap e sipër për të kërkuar se si të dhënat personale mund të përpunohen në një realitet që ecën dhe evoluon çdo ditë. Në epokën dixhitale, e drejta e privacisë, sipas disa miliarderëve apo dhe disa akademikëve të Harvardit, është një e drejtë e vdekur. Nisur nga një këndvështrim tjetër kjo mbetet padyshim e pakuptimtë. Pavarësisht se sa jo diskret mund të jemi të gjithë ne nëpër mediat sociale, jashtë realitetit virtual, ne gjithmonë përpiqemi të ruajmë një pjesë të jetës sonë nga arena publike. E vërteta është se kur jemi aty dhe navigojmë brenda këtij realiteti, në këto rrjete sa sociale po aq dhe private, gjithmonë gjejmë teknika për të fshehur gjurmët tona apo për të bllokuar dikë që nuk duam ta kemi në habitatin tonë virtual.

Kjo është privacy. Kjo ndodh, sepse interneti prish dhe transformon normat e sjelljes njerëzore, megjithëse, sipas ekspertëve ende nuk ka prova të forta se ai po shkatërron krejtësisht vlerat tona si shoqëri. Në legjislacionin e Bashkimit Europian gjendet një ligj i veçantë për privacinë. Ai quhet “E drejta për mbrojtjen e të dhënave personale”, çfarë do të thotë se si individ ne kemi të drejtën të dimë si po ruhen të dhënat tona dhe, nëse ato po trajtohen apo jo në mënyrë të respektueshme. Kanë kaluar shumë kohë që atëherë kur procesi i mbrojtjes së të dhënave personale ishte një proces i rëndomtë. Të dhënat grumbulloheshin në copa letre dhe ato ruheshin në dosje të veçanta, që kalbeshin magazinave. Europa filloi të ndërtojë strategji të reja diku aty nga viti 1995, derisa mbërriti te ligji i sotëm, i cili do të rregullonte përpunimin e të dhënave personale brenda tregut të brendshëm. Një treg që në atë kohë përbëhej nga 15 shtete dhe 373 milion njerëz.

Deri 5 vjet më parë mbrojtja e të dhënave personale flinte në një qoshkë të ngrohtë të sistemit ligjor të BEsë dhe mbrojtja e të dhënave personale përbënte një çështje të padobishme për politikën në tërësi. Por falë presionit të disa autoriteteve të pavarura të mbrojtjes së të dhënave, shoqërisë civile dhe akademikëve, Komisioni Europian e ngriti këtë shqetësim dhe e bëri kauzë të drejtë në formë direktive dhe modernizimin e saj e trajtoi me më shumë seriozitet në një epokë të re, në epokën e komunikimit dixhital. E thjeshtë, bota kish evoluar dhe përfshirja e këtij shqetësimi ishte e pashmangshme. Në një ekonomi të globalizuar, ky ligj, tashmë i adaptuar në Europën e bashkuar, prek çdo vend që aspiron të jetë pjesë zyrtare e Brukselit. Rregullorja mbi këtë ligj është e zbatueshme drejtpërsëdrejti për të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Ajo përmban një dokumentacion të gjatë, të detajuar dhe në të kryesisht vihen re nota përshkruese. Por një tjetër sfidë që pritet të kapërcehet është dhe funksionimi i mekanizmit të zbatimit.

Në Europë, autoritetet e pavarura që ushtrojnë funksionin e mbrojtjes së të dhënave luajnë një rol të rëndësishëm. Çdo shtet, anëtar i BE-së e ka një autoritet të tillë me përgjegjësi të gjerë në këtë zonë. Zyrtarë të lartë të Brukselit kanë pranuar se Evropa mund të jetë disi prapa në disa fusha, por në ligjin për mbrojtjen e të dhënave, është e pamohueshme që unioni ndodhet në pararojë sa i përket planit global. Vetëm nëse cilësojmë këtu se, mbi njëqind vende të botës, edhe pse nuk janë anëtarë të familjes europiane e kanë kaluar ligjin për mbrojtjen e të dhënave, do të bindemi plotësisht se i gjithë ky projekt europian është ende në proces dhe në rrugën e mbarë të implementimit edhe të atyre vendeve që po e kryejnë atë. Theksojmë, gjithashtu, se shumica e tyre janë bazuar në qasjen e ofruar nga BE. Por, le të jemi të sinqertë. Direktiva e vitit 1995 nuk e preku aspak evolucionin e internetit dhe që këtej ligji që hyri në fuqi paraqiti kufizimet e tij.

Ky sot përbën një problem shqetësues sa i përket dimensionit etik të ligjit në këtë fushë, sepse etika, ideja që diçka është e drejtë apo e gabuar, është më shumë universale se nocionet tipike perëndimore të privacisë dhe mbrojtjes së të dhënave, mbi të gjitha, sepse etika shkon përtej ligjeve. Si mundet që një kompani, e cila ka detyrë që për arsye ligjore të mbrojë të dhënat personale të stafit të vet apo qoftë dhe të institucioneve të tjera t’i shkelë vetë ato kur i vjen për mbarë? Si mund t’i analizojmë këto raste? A janë mjaftueshëm të aftë rregullatorët t’i përgjigjen një pyetjeje të tillë? Nuk ka asnjë pikë dyshimi se ne kemi nevojë për një mendësi të re trajtimi të kësaj çështjeje dhe po ashtu të mund të eksplorojmë dimensione të reja etike në shoqërinë tonë dixhitale, sepse në fund të ditës e dimë mirë të gjithë se këto qasje sjellin përfitime të rëndësishme për shoqërinë, por dhe për individët.

Sipas të gjitha kërkimeve ato mbartin potencialin e përmirësimit të politikave në një gamë të gjerë fushash në një mënyrë të pavarur. Në të vërtetë puna kryesore e këtyre autoriteteve është thjesht të zbatojnë ligjin. Por sigurisht, detyrat e këtyre organeve përfshijnë një panoramë më të gjerë, si kjo p.sh. se ato, gjithashtu, e kanë për detyrë të këshillojnë mbi të gjitha edhe për ringritjen e vetëdijes mbi çështje të tilla si kjo e mbrojtjes së të dhënave personale. Jemi drejt një të ardhmeje ku këto autoritete, pikësëpari, duhet të veprojnë padyshim si ndërgjegje e botës dixhitale. Por që kjo të ndodhë ata duhet të jenë të familjarizuar me evoluimin teknologjik, sigurisht edhe me problemet komplekse që sjell etika për shkak të shpikjeve të reja teknologjike.

Si përfundim, nuk duhet ta heqim nga mendja se BE kur hartoi draftin ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave personale, në pjesën e katërt të dokumentit ligjor jo pa qëllim shkruan se: “Përpunimi i të dhënave duhet të jetë i projektuar për t’i shërbyer njerëzimit”. Por, a mund të shkojnë bashkë ligjet dhe ndjesitë me njëra-tjetrën pa cenuar normat etike në një botë të dixhitalizuar? Kjo duket se mbetet sfida e autoriteteve rregulluese të ditëve tona, të bëjnë promotorin e këtyre zhvillimeve, por dhe të shtrëngojnë rripat kur etika shkelet me të dyja këmbët për hir të marketingut të lartë që këto shkelje sjellin. Sfidë e vërtetë sakaq!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb