VLORE- Projektet për mbrojtjen nga përmbytjet, po vijojnë zbatimin në të gjithë vendin. 17 projekte të tilla, pjesë e programit të posaçëm të financuar nga BE dhe qeveria shqiptare parashikojnë parandalimin e përmbytjeve, përmes ndërhyrjeve në infrastrukturën e lumenjve.

Në një njoftim për mediat bëhet e ditur se Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ishte sot në Novoselë të Vlorës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në dy prej projekteve, për këtë zonë, të cilat janë drejt përfundimit. Zëvendëskryeminisytri Peleshi, i shoqëruar nga përfaqësues lokal të zonës, u takua me drejtues dhe ekspertë, të zbatimit në terren të projekteve, ku u shpreh se qeveria po punon me një qasje të re për të parandaluar pasojat e përmbytjeve.

Niko Peleshi Novosele“Ne jemi në fillimin e ndryshimit të qasjes tonë, në raport me natyrën. Në gjithë këto vite, kemi kaluar vijën e kuqe, i kemi prishur natyrës ekuilibrat e veta. Në këtë zonë pranë Novoselës, po bëhet një punë e madhe, si pjesë e projektit prej 17 veprash, në të gjithë vendin të mundësuar nga financimet e BE dhe qeverisë shqiptare për të rehabilituar dhe për të parandaluar – me disa ndërhyrje në argjinatura kryesisht, – përmbytjet potenciale. Ne mbrojmë 5 mijë hektarë tokë dhe rreth 12 mije familje. Një investim prej 1 apo 2 milion dollarësh mbron një përmbytje potenciale në këtë tokë, mijëra hektarë tokë e mijëra familje. Në 17 veprat që po punohet me intensitet arrijmë te mbrojmë 160 mije familje” tha Peleshi.

Po ashtu, Peleshi theksoi se “do te përmbyllim me sukses ndërhyrjen në 17 lote. Nesër miratohet me shumë gjasa në parlament moratoriumi i pyjeve. Për një periudhë 10 vjeçare nuk do të shfrytëzohen më pyjet siç janë shfrytëzuar deri tani. Sanksionet do të jenë shumë të ashpra. Inkurajoj pushtetin vendor, të gjitha institucionet që të përgatitin në kohë projekte të sakta teknike dhe ti aplikojnë në fondet tona, siç është fondi prej 25 milionë dollarë i përmbytjes dhe kullimit. Do të furnizojmë me eskavatorë të rinj por edhe me fonde të nevojshme për të mundësuar realizimin e veprave të pastrimit e rehabilitimit të kanaleve ujitëse dhe kulluese.”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: