TIRANË

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi ka paralajmëruar se grupi parlamentar i PD do të çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë, sipas tij, për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës.

Bardhi tha se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji; është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend dhe është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

PO kështu Bardhi tha se do të informojnë dhe ambasadorët.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, për shpalljen e tij antikushtetuese, për shkak se Vendimi i Qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës:
• Është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji;
• Është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend;
• Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
Grupi Parlamentar i PD do të informojë Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë për këtë praktikë të paligjshme të qeverisë, që nxit, favorizon dhe i hap rrugë ndërtimit të Kullave në mes të Tiranës, duke favorizuar në këtë mënyrë një skemë të mundshme pastrimi të parave të pista, nisur nga fakti se siç ka pohuar vetë Prokurori i Përgjithshëm, ka dyshime të forta që një pjesë e parave që janë investuar në ndërtim në qytetin e Tiranës kanë si burim aktivitetet kriminale jashtë territorit të Shqipërisë.
Në emër të GPPD, gjejmë rastin të paralajmërojmë se asnjë cm shtesë pa leje nga oligarkët nuk do të legalizohet dhe çdo përfshirje e tyre apo zyrtarëve në këtë procedurë të paligjshme do të shkojë dëm. Pasuria sipas ligjit do të konfiskohet dhe do t’i kalojë në pronësi shtetit. Kushdo që është përfshirë apo ka lejuar paligjshmërinë do të mbajë përgjegjësi ligjore.
Grupi Parlamentar i PD kërkon nga Prokuroria që të veprojë pa vonesa, të zbatojë Kodin Penal, jo vetëm ndaj ndërtuesve të paligjshëm, por edhe ndaj Edi Ramës dhe çdo zyrtari tjetër që është përfshirë në praktikën e paligjshme për të legalizuar Kullat e ndërtuara pa leje në mes të Tiranës, pa ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Prokuroria duhet të hetojë dhe vendos para përgjegjësisë Edi Ramën dhe zyrtarët e tjerë shtetërore që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar favorizimin e një grushti oligarkësh, për qëllime klienteliste dhe të dyshuara si korruptive”, deklaroi Gazment Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb