Për herë të parë prej 13 marsit, të hënën në rrugët e Tiranës kanë rifilluar të qarkullojnë automjetet me ngjyrë të verdhë të shërbimit taksi. Për shkak të kërcënimit të koronavirusit, shoferët qëndronin në pritje jashtë makinave të pajisur me maska, doreza dhe shishe të dezinfektantëve, ndërsa automjetet e tyre i mbanin me dyer të hapura për të mundësuar qarkullimin e ajrit brenda kabinës.

“Kemi pothuajse 2 muaj mbyllur, e tani na e kanë bërë ekonominë copë,” shprehet Feim Osmani, i cili ushtron profesionin e taksistit prej 10 vitesh.

“Me këto rregullat e reja për lëvizjen vetëm brenda përbrenda qytetit na prishin shumë punë, pasi ka shumë klientë që kërkojnë të lëvizin nëpër qytetet e tyre,” shton Osmani, ndërsa ankohet se “kam që në 6 të mëngjesit që nuk bëj asnjë rrugë.”

Prej të hënës qeveria ka marrë masat lehtësuese të radhës duke lejuar edhe rifillimin e aktivitetit të shërbimit taksi në Shqipëri, por kjo leje ka ardhur me shërbime të kufizuara për itinerare vetëm brenda qytetit.

Të gjitha taksitë janë detyruar të ndjekin një protokoll të masave higjeno-sanitare për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të publikuara prej qeverisë në platformën qeveritare e-albania.

Sipas protokollit shërbimi taksi është i lejuar vetëm për transport brenda qytetit dhe në asnjë rast nuk lejohet transporti ndërqytetas. Gjithashtu në rast kontrolli nga organet e policisë , pasagjeri duhet të tregojë arsyet e lëvizjes së tij në përputhje me ligjin.

Nexhip Kasneci, një tjetër shofer taksie nga Tirana, i cili ushtron profesionin e tij që prej vitit 2004, shprehet se ditën e parë të hapjes së aktivitetit – nga ora 7.00  e mëngjesit deri në mesditë, ai nuk ka mundur të sigurojë asnjë klient.

“Po më duket vetja sikur kam dal të marr ajër,” ironizon Kasneci mbi mungesën e punës, duke theksuar se njerëzit kanë shumë pak orë liridalje në dispozicion dhe nuk u del koha për itinerare të gjata.

“Gjithashtu edhe shërbimet tona janë të kufizuara deri në 17.30, siç është edhe fasha orare e lejuar,” shpjegoi ai.

Kostot financiare ka qenë të larta edhe për këtë profesion si edhe për shumë të tjerë, të cilët gjatë këtyre dy muajve nuk kanë pasur asnjë të ardhur, për shkak të pezullimit të aktivitet si pasojë e masave të distancimit social.

Qazim Myrtaj, i cili prej 7 vitesh ushtron profesionin e shoferit, ankohet që ndalimi i qarkullimit i ka vënë shumë taksistë në vështirësi ekonomike.“Është hera e parë në gjithë këto vite që rrimë dy muaj pa punë dhe kjo ndikoi shumë në gjendjen tonë financiare, pasi na gjeti të papërgatitur, na erdhi papritmas,” tha ai.

Myrtaj shpjegon se makinën e punës e ka blerë me kredi dhe familjen e tij prej 5 anëtarësh e mban vetëm me të ardhurat që siguron në timon.

Shoferët janë detyruar të ndërrmarin të gjitha masat mbrojtëse nëse klientët nuk janë të pajisur me to | Foto : Nensi Bogdani

“Nga ora 6 e mëngjesit kam bërë vetëm 700 lekë të reja xhiro,” tregoi ai. “Më erdhi rruga në mëngjes për të shkuar në Peshkopi, por nuk mundem pasi ligji nuk lejon që të lëvizim jashtë qytetit,” shtoi Myrtaj.

Kufizimi i lëvizjes vetëm brenda qytetit është një shqetësim që e ndajnë të gjithë shoferët e taksive.

“Sot më erdhi një klient, më tha hajde me ço në Vlorë,” tregon një tjetër shofer taksie që preferoi të mbetej anonim. “Pra nuk kemi mundësi as t’i shërbejmë klientelës që na vjen”, shtoi ai, ndërsa tregoi se ka 12 vite në këtë profesion.

“Kam dal që në mëngjes e po rri pothuajse kot, përveç një klienti që pata,” u ankua taksisti. “Unë me këtë punë ushqehem, prandaj është shumë e vështirë” shtoi ai.

Pesimist për situatën është dhe Fehim Osmani, i cili kërkon që sa më shpejt krijohet mundësia për të transportuar klientë jashtë qytetit.

“Të paktën të hapej më gjerë leja edhe jashtë qyteti, sepse ka shumë që kërkojnë,” tha ai, ndërsa shtoi se “nuk e di sesi do vejë puna, është keq e më keq.”

Omsani shtoi se akoma nuk ka marrë as ndihmën financiare nga shteti – të ashtuquajturën pagën e luftës, dhe pse është taksapagues i rregullt dhe ka 40 vjet që punon si shofer profesionist.

“Dy herët e para që aplikova për pagën e luftës, më doli përgjigje negative, tani herën e tretë jam akoma duke pritur,” tha ai, duke shtuar se me ato para synonte të paguante sigurimet shoqërore.

“Detyrime shtetit nuk i kam, jam taksapagues i rregullt, ato lekë që do të marr nga paga e luftës prap do shkojnë për pagesën e taksave” përfundoi ai.

Megjithëse i kanë marrë të gjitha masat higjienike, shoferët e taksive shprehen se profesioni i tyre është shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga virusi SARS-CoV-2.

“Në fund të ditës pas kontaktit me klientë të shumtë, pasi shkojmë në shtëpi kemi frikën e pjesëtarëve të familjes,” shpjegoi Myrtaj.

Nexhip Kasneci, shofer taksie prej 16 vitesh, shprehet se nuk ka pasur aspak punë në ditën e parë të rifillimit të aktivitetit | Foto : Nensi Bogdani

Feim Osmani, nga ana tjetër thekson se ai është detyruar të mbulojë vetë shpenzimet e masave mbrojtëse në rast se klientët nuk janë të pajisur.

“Ne kemi të gjitha kushtet për mbrojtje, me dezinfektues, me maska, me doreza….edhe për klientët që nuk do kenë maska e doreza do ja japim ne, duke i mbuluar me fondet tona,” tha ai.

“Po nxjerrim lekë nga xhepi jonë për masat mbrojtëse se përndryshe gjobitemi, nëse klienti është pa maskë,” përfundoi Osmani./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb