Zgjedhjet e 30 korrikut për rektorë dhe anëtarë senati kanë shkaktuar sërish përplasje mes Universitetit të Tiranës dhe Komisionit të Institucional të Zgjedhjeve pranë këtij institucioni. Përmes një njoftimi për mediat, UT thekson se afati për dorëzimin e kandidaturave nuk ka përfunduar, ashtu sikundër deklaroi dje Komisioni i Institucional të Zgjedhjeve.

Mes të tjerash në njoftimin e UT-së theksohet fakti se ky institucion nuk e njeh KIZ aktual, ndërsa bëri me dije se Komisioni Institucional i Zgjedhjeve nuk është krijuar akoma.

NJOFTIM I UNIVERSITETIT TË TIRANËS!
Universiteti i Tiranës, njofton se lajmi i dhënë sot mbasdite në disa media se “ ….është mbyllur zyrtarisht afati i regjistrimit të kandidatëve për autoritetin drejtues Rektor dhe anëtarë të Senatit Akademik të UT”, nuk është aspak i vërtetë.
Universiteti i Tiranës njofton se Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) i UT, që do të administrojë të gjithë procesin zgjedhor në UT, nuk është krijuar akoma.
Pas daljes të Urdhrit nr.6 datë 30.06.2020 të Rektorit të UT, “Për shpalljen e ditës së fillimit të procesit zgjedhor dhe datën e përcaktuar nga ministri i arsimit, Sportit dhe Rinisë, për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese dhe Senatit Akademik, të UT”, strukturat dhe organet përkatëse, po procedojnë për krijimin dhe miratimin e KIZ të UT, sipas përcaktimeve të nenit 6, pika 1 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT.
Universiteti i Tiranës, i kërkon mediave apo portaleve të ndryshme online, që përpara publikimit të lajmeve të tilla, për këtë institucion kaq të rëndësishëm të arsimit të lartë në vend, të verifikojë burimin dhe vërtetësinë e lajmit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: