TIRANË- Është zhvilluar sot në Tiranë, konferenca për procesin e integrimit në mbyllje të projektit të asistencës teknike SMEI III, ku kanë qenë të pranishëm Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, Zv. Kryeministri Niko Peleshi si dhe Përfaqësues të Delegacionit Europian në Tiranë.

Ministrja Gjosha vlerësoi punën e bërë dhe asistencën në kuadër të këtij programi që ka sjellë rritjen e kapaciteteve nëpër institucione. Gjosha tha se hapi i radhës për hapjen e negociatave është reforma në drejtësi.

“Çdo ditë rriten kapacitetet nëpër institucione. Ngritja e kapaciteteve për anëtarësimin në BE. Një punë e jashtëzakonshme jo vetëm për administratën por një sërë detyrimesh që duhet të përmbushen. Shumë shpejt Shqipëria do të kalojë në hapin e radhës, pikërisht për hapjen e negociatave dhe gjithë sektorët do të marrin përgjegjësinë që kanë. Reforma në drejtësi hapi i radhës për hapjen e negociatave. Në vijimësi dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të atashuar pranë Ministrisë së Integrimit, na kanë ndihmuar shumë sidomos me mënyrën se si është paraqitur Shqipëria në progres-raporte për gjatë këtyre viteve. Është një punë e madhe, një volum i madh pune. Unë ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që edhe projektet e tjera të jenë kaq të rëndësishme”, tha Gjosha.

Ndërsa zëvendëskryeministri Peleshi tha se do të ishte motivim për Shqipërinë, caktimi i një date për çeljen e negociatave.

“Presim nga BE, caktimin e një date për të filluar punën. Ky do të ishte një motivim për ne. Ju falënderoj për punën e vështirë të kryer me sukses të këtij projekti”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: